Kryesuesi Zogaj, priti në takim shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav

Kryesuesi Zogaj, priti në takim shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav

Prishtinë, 1 tetor 2024 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, i shoqëruar nga Kryetarja e Komisionit për Çështje normative Drita Rexhaj, pritën në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Aivo Orav me bashkëpunëtorë.

Kryesuesi Zogaj, gjatë këtij takimi i uroi suksese për detyrën e re shefit të BE-së, Orav, me ç’rast shprehu falënderim të veçantë për institucionet evropiane të cilat i kanë dhënë mbështetjen e vazhdueshme sistemit gjyqësor në të gjitha proceset e konsolidimit dhe zhvillimit, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishme në realizimin e objektivave dhe synimeve të sistemit gjyqësor.

Kryesuesi, e njoftoi  shefin e Zyrës së BE-së, për zhvillimet e fundit të sundimit të ligjit dhe për çështjet që ndërlidhen me sektorin e drejtësisë, për progresin dhe sfidat si dhe për angazhimin institucional në funksion të fuqizimit të llogaridhënies, transparencës dhe integritetit në sistemin gjyqësor.

Në diskutim të përbashkët ishin zhvillimet e përgjithshme në sektorin e drejtësisë, reforma gjyqësore, procesi i integrimeve, si dhe thellimi i bashkëpunimit në mes të sistemit gjyqësor dhe institucioneve tjera të drejtësisë në vend, me qëllim të zbatimit të detyrave dhe kompetencave ligjore, e që lidhen me Agjendën e Reformës Evropiane.

Ambasadori Orav konfirmoi nga ana e tij se, përkrahja për forcimin e sundimit të ligjit në vend dhe për një sistem gjyqësor të pavarur mbetet prioritet i institucioneve të BE-së.

Kryesuesi Zogaj dhe shefi i BE-së, Orav kanë shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë drejt avancimit të agjendës së përbashkët evropiane.