Prishtinë, 30 shtator 2024 – Republika e Kosovës është renditur ndër 10 vendet kryesore në botë për performancën e saj të lartë në fushën e sundimit të Ligjit dhe Rendit, sipas raportit të fundit të publikuar nga kompania Gallup. Ky vlerësim e pozicionon Kosovën si një nga vendet më të sigurta në glob për qytetarët e saj, duke dëshmuar progresin e qëndrueshëm të vendit në forcimin e sundimit të ligjit.
Ky sukses pasqyron përkushtimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të ndërtuar një shtet demokratik, të drejtë dhe të sigurt, duke krijuar një mjedis ku qytetarët gëzojnë mbrojtje efektive të drejtave të tyre. Përfshirja e Kosovës në mesin e dhjetë vendeve me vlerën më të lartë në këtë indeks ndërkombëtar është një dëshmi e avancimit të vendit në standardet globale të drejtësisë dhe stabilitetit.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës, është i palëkundur në përpjekjet e tij për të forcuar sundimin e ligjit me përpikëri. Ky vlerësim ndërkombëtar është një reflektim i drejtpërdrejtë i progresit të arritur në këto fusha dhe nxit një angazhim edhe më të madh për avancimin e vazhdueshëm të sistemit të drejtësisë, duke u synuar që të bëhet model për sundimin e ligjit jo vetëm në rajon, por edhe në rang global.