Prishtinë, 25 shtator 2024 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, sot ishte pjesë e një ngjarje të rëndësisë së veçantë për sistemin gjyqësor, si dhe për gjithë sistemin e drejtësisë në Kosovë, në kuadër të shënimit të Ditës së Ndërmjetësimit, e mbështetur nga Programi i USAID-it për Drejtësi Komerciale.
Kryesuesi Zogaj gjatë këtij takimi, theksoi se Kosova tashmë ka një kuadër ligjor të përcaktuar mirë të ndërmjetësimin, i cili qartëson mënyrën se si mund të zgjidhen çështjet jashtë sallave të gjykatës dhe me këtë rast, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka të miratuar Rregulloren për procedurën e ndërmjetësimit në gjykata dhe Protokollin, i cili në mënyrë të detajuar ofron udhëzime për referimin e lëndëve në ndërmjetësim.
“Korniza ligjore u jep gjyqtarëve mundësinë që kur ndërmjetësimi është i mundur, t’i informojnë palët mbi këtë opsion dhe të inkurajojnë përdorimin e tij, gjë që ka rezultuar që gjatë periudhës janar-qershor 2024, janë zgjidhur 6,864 lëndë, kjo përbën një rritje të dukshme në krahasim me vitin 2023, kur numri i përgjithshëm i lëndëve të zgjidhura ishte 6,037”, tha në mes të tjerash Zogaj.
KGJK mbetet e përkushtuar për fuqizimin dhe promovimin e ndërmjetësimit për të gjithë qytetarët dhe profesionistët e drejtësisë.