Prishtinë, 19 korrik 2024 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 330-të me radhë, me ç’rast janë diskutuar pikat sipas rendit të ditës.
KGJK ka shqyrtuar rekomandimet e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, në mbledhjen e mbajtur me datë 16 korrik 2024.
Para anëtarëve, është prezantuar implementimi i Planit të Punës së KGJK-së dhe gjykatave për gjashtë mujorin e parë të vitit 2024, ku theksohet trendi pozitiv i përmbushjes së objektivave dhe përmirësimit të efikasitetit në sistemin gjyqësor.
Këshilli njoftoi se gjatë vitit 2024, nuk ka pranuar asnjë kërkesë për trajtimin e sinjalizimit në sistemin gjyqësor.
KGJK ka miratuar:
- Nëntë kërkesa për transfer të përhershëm të gjyqtarëve.
- Planin e veprimit për Efikasitetin e Administratës Gjyqësore 2024 – 2026.
- Shpalljen e konkursit të brendshëm për gjyqtarë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme dhe themelimin e panelit për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve.
- Shpalljen e konkursit të brendshëm për gjyqtarë në Gjykatën e Apelit dhe themelimin e panelit për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve.
- Ri shpalljen e konkursit të brendshëm për 1 pozitë për gjyqtar nga komuniteti serb në Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale dhe themelimin e panelit për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve.
- Ri shpalljen e konkursit të brendshëm për 1 pozitë për gjyqtar nga komuniteti serb në Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale dhe themelimin e komisionit për vlerësimin e kandidatëve.
- Themelimin e Komisionit për rishqyrtim të ankesave të kandidatëve për gjyqtarë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, Gjykatën e Apelit, Dhomat e Shkallës së Dytë dhe Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale
- Memorandumin e bashkëpunimit në mes të KGJK-së dhe Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave si dhe autorizimin e Kryesuesit të KGJK-së për nënshkrimin e këtij memorandumi.
- Njoftimin e Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore për pensionim të një gjyqtare.
- Ndryshimin e planit të punës së Gjykatës së Apelit me numër AGJ.nr.290/2024, dhe ndryshimin e planit të punës së Gjykatës Themelore Mitrovicë me numër GJA.nr.147/2024.
- Vlerësimin e performancës së Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të KGJK-së dhe UD. Drejtorit të Njësisë për Inspektim Gjyqësor.
- Propozimin për caktimin e anëtarit Fidan Hoxha, në pozitën Kryetar i Komisionit për Trajnime, si dhe propozimet për caktimin e anëtarëve në komisionet tjera.