KGJK priti në takim një delegacion nga Ministria e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë

KGJK priti në takim një delegacion nga Ministria e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë

Prishtinë, 8 qershor 2023 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, i shoqëruar nga Kryetari i Komisionit për Administrimin e Gjykatave, Fahret Vellija dhe Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi, kanë pritur në takim një delegacion nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga Përgjegjësja e Sektorit të Përkthimit Zyrtar për Bashkëpunimin Ndërgjyqësor dhe Certifikimit të Marrëveshjeve Ndërkombëtare, znj. Vilma Xhullima, me bashkëpunëtorë.

Gjatë takimit, u diskutua rreth standardeve të ndjekura nga KGJK në lidhje me çështjet e përkthimit në sistemin gjyqësor, shërbimet e përkthimit si dhe shkëmbimit të përvojave në mes të dy institucioneve, me qëllim të përmbushjes së objektivave në fushën e përkthimit. Po ashtu, delegacioni u njoftua lidhur me procesin e certifikimit të interpretëve dhe përkthyeseve gjyqësorë, si një nga proceset më të rëndësishme për sistemin gjyqësor.

Kryesuesi Zogaj, falënderoi delegacionin për vizitën si dhe premtoi bashkëpunimin dhe bashkë koordinim në aktivitetet e përbashkëta, me qëllim të rritjes së efikasitetit në këtë drejtim. Nga ana tjetër, znj. Xhullima ka falënderuar KGJK-në për përkrahjen e gjyqësorit të Kosovës si dhe është shprehur e gatshme për të vazhduar bashkëpunimin. Delegacioni do të vazhdojë sot vizitën në Pallatin e Drejtësisë dhe nesër në Gjykatën Themelore në Prizren.