KGJK pjesë e konferencës “Të bashkuar për qasje në drejtësi”

KGJK pjesë e konferencës “Të bashkuar për qasje në drejtësi”

Prishtinë, 6 qershor 2023 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, mori pjesë në konferencën “Të bashkuar për qasje në drejtësi”, në kuadër të Javës për Ndihmë Juridike Falas, e cila synon rritjen e ndërgjegjësimit rreth rëndësisë së ndihmës juridike falas dhe mobilizimin e mbështetjes për nismat për zgjerimin e qasjes në drejtësi për të gjithë.

Qëllimi i kësaj konference ishte diskutimi lidhur me ndihmën juridike falas dhe rolin e saj në sigurimin e drejtësisë për të gjithë qytetarët. Gjatë konferencës, është nënshkruar Rregullorja për bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile që ofrojnë ndihmë juridike falas, si dhe janë paraqitur aktivitetet kryesore dhe sfidat gjatë një viti të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas.

Kryesuesi Zogaj, tha se ndihma juridike falas mundëson që qytetarët të jenë të barabartë para ligjit prandaj duhet të sigurohemi që përfaqësimi të jetë adekuat, me qëllim që mos të kemi vendime të diskutueshme. “KGJK dhe gjykatat mbeten të përkushtuara në fuqizimin e ndihmës juridike falas, me qëllim që të mundësohet e drejta e qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët e vendit”, tha mes tjerash Zogaj.