Mblidhen grupet punuese për Reformën në Drejtësi

Mblidhen grupet punuese për Reformën në Drejtësi

Prishtinë, 10 maj 2023 – Është mbajtur sot takimi i parë i grupeve punuese për Reformën në Drejtësi, në të cilin takim përveç anëtarëve të grupeve punuese, morën pjesë edhe përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), Ministria e Drejtësisë (MD) si dhe përfaqësues ndërkombëtarë.

Në këtë takim njoftues, u diskutua rëndësia e bashkëpunimit ndër-institucional në kuadër të reformës në drejtësi si dhe rezultatet e punës të cilat priten brenda afateve të përcaktuara. Po ashtu, të pranishmit u dakorduan edhe për afatet optimale dhe fillimin e punës drejt përmbushjes së obligimeve që dalin nga ‘Deklarata për Reformën në Drejtësi’.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vlerësoi mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë në këtë iniciativë si BE, OPDAT, INL, USAID, KiE, Ambasada Britanike, OSBE, EUKOJUST, EULEX, si dhe njoftoi gjithashtu për përfshirjen e shoqërisë civile në këtë reformë, sipas afateve në fazat e parapara.

Zëvendës Kryesuesi i KGJK-së, Qerim Ademaj dhe Zëvendës Kryesuesi i KPK-së, Veton Shabani, bënë thirrje për të gjithë anëtarët e grupeve punuese, që të vazhdojnë frymën e bashkëpunimit si dhe të japin kontributin e tyre në këtë proces, me qëllim që të realizohen aktivitetet në afatet e parapara, me mbështetjen e partnerëve zhvillimorë sipas Planit të Veprimit. Po ashtu, të dy zëvendës kryesuesit shprehën gatishmërinë e plotë për angazhim të vazhdueshëm gjatë këtij procesi.

Pjesë e kësaj nisme reformuese do të jenë gjashtë grupe punuese. Kjo reformë është pjesë e zotimeve që dalin nga Deklarata e përbashkët e zotimit e nënshkruar nga Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Gjykata Supreme dhe Zyra e Prokurorit të Shtetit.