KGJK mbështetë konsolidimin e mëtutjeshëm të sistemit SQEPK

KGJK mbështetë konsolidimin e mëtutjeshëm të sistemit SQEPK

Prishtinë, 5 maj 2023 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbështetur zgjatjen e kontratave për 26 nëpunës ligjorë aktual të përfshirë në gjykata në tërë vendin, të cilët kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së të dhënave dhe ndërveprimin e Sistemit për Menaxhimin Elektronik të Lëndëve (SMIL) me Sistemin Qendror të Evidencës Penale (SQEP).

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, tha se me vazhdimin e punës se këtyre konsulentëve ligjorë, ne do të arrijmë të sigurojmë kualitetin e të dhënave në këto sisteme të rëndësisë së veçantë për sistemin gjyqësor në vend, me ç’rast Zogaj, falënderoi Programin e Bashkimit Evropian për sektorin e drejtësisë në Kosovë (EUKOJUST), i cili bëri të mundur financimin e mëtutjeshëm të angazhimit të këtyre konsulentëve. Ai po ashtu, theksoi se pa ndihmën e partnerëve tanë, ne nuk do të kishim arritur deri në këtë fazë të konsolidimit të këtij sistemi.

Konsulentët ligjorë, do të vazhdojnë punën e tyre në gjykatat e vendit edhe për nëntë (9) muajt e ardhshëm dhe brenda kësaj faze KGJK planifikon të bëjë verifikimin dhe konsolidimin e plotë të Sistemit Qendror të Evidencës Penale.