Fillon monitorimi i Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi për vitet 2022-2025

Fillon monitorimi i Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi për vitet 2022-2025

Prishtinë, 16 mars 2023 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024, gjyqtari i Gjykatës Supreme, Afrim Shala dhe eksperti nga USAID-i, John Ferry, kanë vizituar sot Gjykatën e Apelit, Gjykatën Komerciale dhe Gjykatën Themelore në Prishtinë, me ç’rast janë pritur nga kryetarët dhe gjyqtarët e këtyre gjykatave.

Qëllimi i këtyre takimeve ishte diskutimi rreth Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi për vitet 2022-2025, si dhe sfidat dhe detyrimet që burojnë nga ky Plan Strategjik.
Kryetari i Gjykatës e Apelit, Valon Totaj, priti në takim Komisionin, ku morën pjesë edhe përgjegjësit e Departamentit të Përgjithshëm, konkretisht nga divizioni penal, nga divizioni civil si dhe udhëheqësja e Departamentit për Çështje Administrative.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, takimi filloi me gjyqtarët e divizionit penal dhe civil të Departamentit të Përgjithshëm dhe gjyqtarët nga Departamentit Administrativ. Gjithashtu, u zhvillua edhe një takim i veçantë me Kryetaren e Gjykatës, Albina Shabani – Rama, gjyqtarët mbikëqyrës të degëve, udhëheqësin e Departamentit të Përgjithshëm, udhëheqësin e Departamentit Administrativ, gjyqtarët përgjegjës të divizionit penal dhe civil dhe koordinatorin për dhunë në familje.
Ndërsa, në Gjykatën Komerciale, Komisioni u takua me Kryetarin, Mahir Tutuli, nën/kryetaren, Saranda Bogaj-Sheremeti, si dhe të gjithë gjyqtarët e Dhomës së Shkallës së Dytë dhe të Dhomës së Shkallës së Parë të kësaj gjykate.

Të gjithë kryetarët e gjykatave, u zotuan para Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024, se do të trajtojnë me prioritet të gjitha lëndët që janë në fokus të Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi për vitet 2022-2025.
Kryetarët gjithashtu, kanë shprehur gatishmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe angazhimit të tyre, me qëllim që përmes prioriteteve të përbashkëta të arrihet ngritja e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor.