Mbahet takimi i 303-të i KGJK-së

Mbahet takimi i 303-të i KGJK-së

Prishtinë, 02.02.2023 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 303-të me radhë, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Para anëtarëve të Këshillit, u raportua lidhur me ecurinë e veprimtarisë së punës së gjykatave për vitin 2022 si dhe tremujorin e IV-të (tetor – dhjetor) për vitin 2022. Në këto raporte ishin të përfshira të dhënat për numrin e përgjithshëm të lëndëve siç janë numrin e lëndëve të pranuara, të kryera dhe atyre që janë duke u trajtuar nga gjykatat. 

Nga paraqitja e këtyre raporteve u pa se gjatë periudhës raportuese, gjykatat kanë pasur rezultate të mira në përgjithësi si dhe rritje të efikasitetit të punës, përfshirë këtu edhe rritjen e numrit të aktgjykimeve të publikuara, ku deri më sot kemi mbi 100,000 aktgjykime të publikuara nga gjykatat.

Raportin për vitin 2022 e kanë paraqitur: 

  • Komisioneri për përgjime;
  • Udhëheqësi i Departamentit Special në kuadër të Gjykatës së Apelit;
  • Udhëheqësi i Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore Prishtinë;
  • Kryetari i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025 si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024 dhe 
  • Koordinatori për rastet e dhunës në familje për vitin 2022.

Raportin për tremujorin e IV-të (tetor – dhjetor) për vitin 2022 si dhe punën e gjykatave për vitin 2022, e kanë paraqitur:

  • Gjyqtari i Gjykatës Supreme të Kosovës; 
  • Gjyqtari mbikëqyrës i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme;
  • Kryetari i Gjykatës së Apelit;
  • Kryetari i Gjykatës Komerciale;
  • Kryetarja e Gjykatës Themelore Prishtinë; 
  • Kryetari i Gjykatës Themelore Gjilan;
  • Kryetarja e Gjykatës Themelore Prizren;
  • Kryetari i Gjykatës Themelore Gjakovë; 
  • Kryetari i Gjykatës Themelore Pejë;
  • Kryetari i Gjykatës Themelore Ferizaj dhe 
  • Nënkryetari i Gjykatës Themelore Mitrovicë.

Pas raportimit lidhur me punën e gjykatave për këtë periudhë, të gjitha raportet e punës u aprovuan nga anëtarët e Këshillit.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj i falënderoi të gjithë kryetarët e gjykatave për raportimet lidhur me punën e tyre si dhe u bëri thirrje për angazhim dhe përpjekje edhe më të madhe për një performancë më të mirë të punës në gjykata. 

“Kërkoi nga kryetarët e gjykatave monitorim të punës së gjyqtarëve, fokus në lëndët e vjetra në gjykata, zbatimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025 si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024 dhe futjen e të dhënave në Sistemin e Menaxhimit Informativ të Lëndëve”, tha mes tjerash Zogaj.

Mbledhja e 303-të e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, do të vazhdojë edhe nesër me pika të tjera të rendit të ditës.