Mbahet takimi i fundit i Komitetit Drejtues të Projektit NCCR

Mbahet takimi i fundit i Komitetit Drejtues të Projektit NCCR

Prishtinë, 25.01.2023 – U mbajt takimi i fundit përmbyllës i Komitetit Drejtues të Projektit të Sistemit Kombëtar Qendror të Evidencës Penale (NCCR), në të cilin u diskutua lidhur me raportin gjashtëmujor korrik – dhjetor 2022, ku u prezantuan aktivitetet e realizuara dhe rezultatet gjatë periudhës raportuese.

Në takimin përmbyllës, morën pjesë: Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi, si dhe përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të përfshira në Komitetin Drejtues, përfshirë Zyra e BE-së, Ministria e Drejtësisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Agjencia për Regjistrim Civil, Policia e Kosovës, Shërbimi Korrektues dhe partnerë tjerë të Këshillit Gjyqësor, me ç’rast u bë përmbyllja zyrtare e këtij projekti, ku si rezultat i punës së përbashkët pesë (5) vjeçare në mes të KGJK-së dhe NCCR, u bë ngritja dhe konsolidimi i Sistemit Qendror të Evidencës penale të Republikës së Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i SKGJK-së, Shkelzen Maliqi, shprehu falënderime për Zyrën e BE-së dhe Projektin NCCR, për përkrahjen dhe punën e suksesshme e cila rezultoi me krijimin e këtij sistemi shumë të rëndësishëm për sistemin gjyqësor dhe qytetarët e Kosovës. Po ashtu, Maliqi falënderoi të gjitha institucionet e përfshira të cilat kanë qenë pjesë përfshirëse në këtë projekt. Me qëllim që ky sistem të ketë funksionim sa më të mirë, KGJK ka ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një qëndrueshmëri të plotë të sistemit. Falë punës së projektit dhe angazhimit të përbashkët, sistemi gjyqësor ka funksionalizuar sistemin e ri të certifikatave mbi dënimet penale dhe tani të gjithë qytetarët e vendit kanë mundësi të kenë qasje online në shërbimet e evidencës penale.