Vazhdon takimi i 299-të i KGJK-së

Vazhdon takimi i 299-të i KGJK-së

Prishtinë, 24.11.2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka vazhduar mbajtjen e takimit të 299-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar edhe pikat tjera sipas rendit të ditës.

Anëtarët e Këshillit autorizuan Sekretariatin e KGJK-së për përgatitjen e materialit për takimet e KGJK-së në formë elektronike për të gjithë anëtarët e KGJK-së, ndërsa materiali në kopje fizike të shumëzohet vetëm në një kopje me qëllim të ruajtjes në arkiv.

Këshilli miratoi Rregulloren Nr. 11/2022 për Evidencën Penale në Republikën e Kosovës, me të cilën rregullohen të gjitha procedurat për funksionimin e Departamentit Qendror të Evidencës Penale në kuadër të SKGJK-së. Me këtë rast, Kryesuesi Zogaj falënderoi Zyrën e BE-së në Kosovë për kontributin e madh drejt funksionalizimit të sistemit dhe theksoi se KGJK së bashku me gjykatat, do të ofrojnë çdo lloj mbështetje për përdorimin e plotë të sistemit.

Me qëllim të zbatimit të Rregullores për Evidencën Penale, Këshilli aprovoi vulën unike zyrtare për përdorim në certifikatat dhe ekstraktet mbi dënimet penale të proceduara nga Sistemi Qendror i Evidencës Penale (SQEP) si dhe aprovoi format e certifikatave të gjendjes penale që do të procedohen në formë elektronike dhe fizike në gjykata.

Këshilli autorizoi Zyrën Qendrore të Evidencës Penale në KGJK, të filloj zbatimin e procesit të rehabilitimit ligjor (fshirjen e dënimeve), sipas procedurave të përcaktuara me Kodin penal të Republikës së Kosovës dhe Rregulloren Nr. 11/2022 mbi SQEP.

KGJK vendosi që certifikatat që do të lëshohen përmes platformës online e-kosova, do të jenë pa pagesë ndërsa në rastet kur mirën në gjykata të paguhet taksa.

Këshilli autorizoi Drejtorin e Përgjithshëm të SKGJK-së, për nënshkrimin e marrëveshjes me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (ASHI), për lansimin e certifikatës elektronike.

“Funksionalizimi i Sistemit Qendror të Evidencës Penale është një lajm i jashtëzakonshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe gjykatat e vendit sepse ne si KGJK po përmbushim një standard të rëndësishëm ndërkombëtar në fushën penale dhe me këtë sistem do të shkarkojmë edhe gjykatat nga procedurat teknike që kanë ekzistuar ndër vite”, theksoi Kryesuesi Zogaj.

Po ashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi, u bëri thirrje gjykatave që të kenë kujdes të shtuar për përditësimin e të dhënave në Sistemin e Menaxhimit Informativ të Lëndëve (SMIL), për shkak të ndërlidhjes me sistemin e evidencës penale.

Në vazhdim të takimit, Këshilli aprovoi njoftimin e Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore të SKGJK-së për pensionimin e gjyqtares në Gjykatën Supreme, Nesrin Lushta, gjyqtarit në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, Hamdi Ibrahimi dhe gjyqtarit në Gjykatën Themelore Pejë, Menduh Mulhaxha.

Po ashtu, Këshilli caktoi gjyqtarin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Gazmend Bahtiri, anëtar të Komisionit për kompensimin e dëmit për personat e dënuar ose arrestuar pa arsye.

Këshilli, miratoi transferimin në mënyrë të përhershme të gjyqtarit të Gjykatës Themelore Pejë, dega në Deçan z. Sulltan Dobraj, në Gjykatën Themelore Gjakovë dhe gjyqtarit të Gjykatës Themelore Pejë, dega në Istog z. Blerim Istrefi në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Këshilli miratoi vazhdimin e marrëdhënies së punës për të punësuarit përmes programit Skema e Profesionistëve të Rinj (Young Cell Scheme), sipas kontratës bazë.