Kryesuesi Zogaj priti në takim Ambasadorin e Misionit të OSBE-së, Davenport

Kryesuesi Zogaj priti në takim Ambasadorin e Misionit të OSBE-së, Davenport

Prishtinë, 21.11.2022 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, së bashku me Kryetarin e Komisionit për Administrimin e Gjykatave, Fahret Vellija, ka pritur në takim Ambasadorin e Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Kosovë, z. Michael Davenport dhe Shefin e ri të Zyrës për monitorimin e sistemit gjyqësor, z. Mark Lasser.

Me këtë rast, Kryesuesi Zogaj ka uruar z. Lasser për detyrën e re dhe ka shprehur gatishmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit në proceset e interesit të përbashkët mes OSBE-së dhe KGJK-së. Po ashtu, Zogaj ka njoftuar Ambasadorin Davenport për zhvillimet e fundit të sundimit të ligjit dhe për çështjet që ndërlidhen me sektorin e drejtësisë, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes dhe monitorimit të OSBE-së.

Në anën tjetër, Ambasadori Davenport, shprehu gatishmërinë e tij për të vazhduar bashkëpunimin e mirë me KGJK-në si dhe theksoi se Misioni i OSBE-së do të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme për sistemin gjyqësor.

Kryesuesi Zogaj, në emër të KGJK-së, ka falënderuar Ambasadorin Davenport për përkrahjen e vazhdueshme të Misionit të OSBE-së në Kosovë, me ç’rast ka shprehur se Misioni i OSBE-së mbetet një nga partnerët më serioz dhe më praktik të KGJK-së, mbështetja e të cilit ndikon në ngritjen e efikasitetit dhe transparencës të sistemit gjyqësor në Kosovë.