Këshilli Gjyqësor i Kosovës, pjesë e konferencës përmbyllëse rajonale të Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal II”

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, pjesë e konferencës përmbyllëse rajonale të Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal II”

Budvë, 27-28 shtator 2022 – Me ftesë të Këshillit të Evropës, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama dhe Drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, krahas përfaqësuesve të institucioneve tjera vendore dhe nga rajoni, po marrin pjesë në konferencën përmbyllëse rajonale të programit të Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë – Faza II”, e cila po mbahet në Budvë të Malit të Zi.

Konferenca dy (2) ditore ka ofruar mundësinë për të reflektuar mbi përfitimet e programit për qytetarët dhe mësimet e nxjerra në frymën e fazave të reja, duke shkëmbyer pikëpamjet mbi dimensionet e përforcuara rajonale të tij si dhe pronësinë e veprimeve nga përfituesit. 

Konferenca mblodhi bashkë përfaqësues të institucioneve përfituese të Instrumentit Horizontal II, Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, anëtarë të komunitetit ndërkombëtar, organizata të shoqërisë civile si dhe ekspertë të përzgjedhur nga vendet përfituese.

KGJK mbetet e përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin me programet e Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës, të cilat mbështesin proceset e reformave të përshtatura në fushat e garantimit të drejtësisë, luftimit të krimit ekonomik, luftimit të diskriminimit dhe mbrojtjes së të drejtave të grupeve të prekura (përfshirë LGBTI, pakicat dhe romët) si dhe lirinë e shprehjes dhe medias, me qëllim që të ketë rezultate pozitive dhe efikasitet në këtë drejtim.

Në këtë konferencë, përpos përfaqësuesve nga Kosova, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të lartë të pushtetit gjyqësor nga: Shqipëria, Maqedonia Veriore, Mali i Zi, Turqia, Bosnja dhe Hercegovina etj.

Konferenca është mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe do t’i vazhdojë punimet edhe nesër.