Vazhdon takimi i 295-të i KGJK-së

Vazhdon takimi i 295-të i KGJK-së

Prishtinë, 22 shtator 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 295-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Anëtarët e KGJK-së, morën vendim për hedhjen si të palejuar të ankesës së gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Jovica Mitroviq, lidhur me vlerësimin e performancës.

Këshilli, miratoi katalogun për ndryshimin dhe plotësimin e katalogut të pozitave dhe përshkrimit të vendeve të punës për të punësuarit e gjyqësorit.

Në vijim, u miratua ndryshimi i planit të punës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për vitin 2022, me numër GJ.A.nr.776/2022, të datës 15 shtator 2022.

Gjatë takimit, anëtarët diskutuan lidhur me çështjen e caktimit të avokatëve nga Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) sipas detyrës zyrtare në Gjykatën Themelore Pejë, me ç’rast kryesuesi Zogaj tha se pavarësisht ndryshim vendimit që ka pësuar nga OAK me rastin e Gjykatës Themelore në Pejë, përsëri nuk ka një hapje të rrugës për zhvillimin e procesit gjyqësor në mënyrë normale, pra nuk ka lehtësim të procesit.

“KGJK shpreh shqetësim për Odën e Avokatëve të Kosovës, si institucion që ka përgjegjësi për odat rajonale të vendit, të cilat kanë përgjegjësi për caktimin e avokatëve sipas kërkesave të gjykatave, por njëkohësisht si kërkesë për Odën që të shoh edhe përgjegjësitë e avokatëve, të shoh zbatimin e kodit të etikës së avokatëve dhe përgjegjësive të tjera që ka secili avokat në kuptimin profesional në raport me proceset gjyqësore”, shtoi Zogaj.

Anëtarët u dakorduan që përmes kryesuesit të KGJK-së, t’i dërgohet letër OAK-së, si vazhdimësi e qëndrimit të mëparshëm i Këshillit, të zbatohet memorandumi, të zbatohen përgjegjësitë ligjore, të lehtësohet komunikimi dhe angazhimi i avokatëve që të gjithë duhet të kontribuojnë që procedurat të zhvillohen në mënyrë efikase.

Këshilli, gjithashtu aprovoi njoftimin e Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore të SKGJK-së për pensionimin e gjyqtares në Gjykatën e Apelit, divizioni në Mitrovicë, znj. Zlatica Vukasinovic.

Anëtarët miratuan shpalljen e konkursit të brendshëm për një (1) pozitë të lirë për gjyqtar nga komuniteti serb në Gjykatën e Apelit, divizioni në Mitrovicë, me ç’rast u themelua Paneli për shqyrtimin e aplikacioneve dhe intervistimin e kandidatëve për ngritje në detyrë për një (1) gjyqtar nga radhët e gjyqtarëve të komunitetit serb në Gjykatën e Apelit – divizioni në Mitrovicë dhe u emërua Komisioni për Rishqyrtim të ankesave të kandidatëve për konkursin në fjalë.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me tri (3) pika të mbyllura për:

  • Shqyrtimin e njoftimit të komisionit për testimin dhe vlerësimin e kandidatëve për certifikimin e përkthyesve dhe interpretëve gjyqësor për çift gjuhët shqip – serbisht dhe anasjelltas;
  • Shqyrtimin e raportit mbi faktet dhe provat e mbledhura për rastin disiplinore Nr.AD/KGJK/12/2022/GJTHFR-AD/GJTHFR/nr.6/22 dhe
  • Shqyrtimin e raportit mbi faktet dhe provat e mbledhura për rastin disiplinore Nr. Nr.AD/KGJK/10/2022/ GJTHPR-AD/GJTHPR/14/22.