Ambasada Norvegjeze mbështet Sistemin Informativ për Menaxhimin e Lëndëve

Ambasada Norvegjeze mbështet Sistemin Informativ për Menaxhimin e Lëndëve

Prishtinë, 22 shtator 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 295-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, me ç’rast në takim ka pritur, Drejtorin Gjeneral të Administratës Gjyqësore në Norvegji, z. Sven Marius Urke.

Gjatë këtij takimi, z. Urke, iu adresua Këshillit me një fjalë rasti, ku potencoi zhvillimin e projektit të Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL), fazat e zhvillimit të projektit, rëndësinë e përfshirjes së KGJK-së në procesin e zhvillimit dhe implementimit të projektit.

Drejtori Urke, gjithashtu potencoi edhe rëndësinë që do ta ketë SMIL-i në procesin e reformave gjyqësore në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës, rritjes së efikasitetit të punës së gjykatave, transparencës dhe llogaridhënies.

Z. Urke, tha se ndjehet shumë i lumtur dhe krenar me punën e përbashkët të sistemit gjyqësor në Republikën e Kosovës dhe Qeverisë Norvegjeze, për realizimin e suksesshëm të projektit SMIL, i cili është një nga projektet më komplekse që mund të zhvillohet, dhe pavarësisht të gjitha sfidave, ai  theksoi se ky projekt nuk ka ngecur gjatë zhvillimit të tij dhe është implementuar me sukses në çdo fazë. “Kjo është vizita ime e parë në KGJK, e që nuk kam një listë të shkruar lidhur me problemet në sistemin SMIL, të cilat duhet adresuar, por këtë herë kam një listë vetëm me gjëra të mira, prandaj dua t’iu përgëzoj për gjithë punën dhe angazhimin tuaj, dhe më lejoni t’iu them se jam shumë krenar me atë çfarë kemi arritur së bashku”, tha mes tjerash z.Urke.

Kryesuesi Zogaj, në emër të KGJK-së, falënderoi z. Sven dhe shtoi se është kënaqësi për të diskutuar me krenari dhe mburrje për projektin SMIL, i cili mund të shërbejë si model për vendet në rajon dhe i cili vlerësohet si një nga projektet më të mëdha për sistemin gjyqësor.

“Në emër të KGJK-së, ju garantoj që sistemi SMIL do të jetë prioritet i lartë i sistemit gjyqësor dhe të gjithë duhet të krenohemi me rezultatet e tij, përtej asaj që i kemi parashikuar. Ky sistem, ka lehtësuar jetën dhe komunikimin e qytetarëve me gjykata dhe ne jemi mirënjohës për kontributin tuaj dhe të popullit norvegjez”, shtoi Zogaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi, tha se është arritur një punë e jashtëzakonshme deri më tani, ku megjithëse janë ndërruar katër (4) kryesues të KGJK-së, përkushtimi dhe angazhimi për zbatimin e sistemit të SMIL ka mbetur i njëjtë gjatë gjithë këtyre viteve. Gjithashtu, theksoi se e gjithë kjo është arritur falë punës të përbashkët profesionale të SKGJK-së dhe SKPK-së, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, dhe siguroi se edhe gjatë implementimit të fazës së katërt të projektit SMIL, nuk do të ketë ngecje në zbatim por angazhim maksimal.