Mbahet takimi i 292-të i KGJK-së

Mbahet takimi i 292-të i KGJK-së

Prishtinë, 28 korrik 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 292-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Takimi filloi me miratimin e Rregullores Nr. 06/2022 për organizimin dhe funksionimin e Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (SKGJK), e cila përcakton organizimin dhe funksionimin e SKGJK-së, me qëllim të ofrimit të mbështetjes profesionale dhe administrative për Këshillin, njësitë e Këshillit si dhe gjykatat.

Po ashtu, u miratua Rregullorja Nr. 07/2022 për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Gjykatën Komerciale, e cila përcakton rregullat lidhur me organizimin  e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Gjykatën Komerciale, së bashku me organogram të gjykatës.

Këshilli aprovoi kërkesën e një (1) gjyqtare për transferim të përhershëm në Gjykatën Themelore në Mitrovicë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, si dhe kërkesën e një (1) gjyqtari për transferim të përhershëm në Gjykatën Themelore në Gjilan nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Gjatë takimit, u miratua Rregullorja Nr. 08/2022 për transferimin e gjyqtarëve së bashku me formularin për aplikim, me ç’rast anëtarët aprovuan shpalljen e konkursit të brendshëm për transfer të përhershëm të gjyqtarëve për gjykatat themelore.

Anëtarët e Këshillit miratuan Udhëzuesin për procedurën e dërgimit të shkresave nga gjykata së bashku me shtojcat, i cili do t’iu  shërbejë  gjykatave për të lehtësuar punën në praktikë, duke siguruar procedura të qarta lidhur me dorëzimin e shkresave.

Këshilli aprovoi vendimin e Gjykatës Themelore Prishtinë GJ.A.nr.615/2022, të datës 25 korrik 2022 për ndryshimin e planit të punës së Gjykatës.

Anëtarët autorizuan Kryesuesin e KGJK-së, për të nominuar sipas vlerësimit një (1) ose dy (2) kandidatë për Gjykatë Kushtetuese.

Këshilli themeloi Komisionin ad hoc për verifikimin e dokumentacionit të përkthyesve dhe interpretëve gjyqësorë të certifikuar më parë me aktvendime nga ish Gjykatat e Qarkut dhe aprovoi shpalljen e njoftimit publik nga KGJK, përmes të cilit ftohen të gjithë përkthyesit dhe interpretët e certifikuar me aktvendim nga ish Gjykatat e Qarkut, që në afat prej një (1) viti, të paraqiten në KGJK për përfshirjen e tyre në listën e re të përkthyesve dhe interpretëve gjyqësor.

Në vazhdim të takimit, u aprovuan kërkesat funksionale për: Mekanizmin për përcjelljen e rasteve, Platformën për të dhënat e hapura dhe Platformën për mësimin elektronike në kuadër të Projektit “Qasja e publikut në të dhëna gjyqësore”. Ky projekt do të ndikojë në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies të sistemit gjyqësor.

Këshilli aprovoi kërkesën e një (1) gjyqtare në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për pushim pa pagesë për një (1) vit, me qëllim të përfundimit të studimeve të doktoratës në SHBA.

Anëtarët miratuan Planin vjetor të punës së Gjykatës Komerciale për vitin 2022, i cili i jap mundësi fillimit të punës dhe shqyrtimit të çështjeve në këtë gjykatë si dhe aprovuan nxjerrjen e urdhrit për transferimin e lëndëve që bien në kompetencë të Gjykatës Komerciale nga gjykatat themelore dhe Gjykata e Apelit.

Këshilli caktoi ushtruesin e detyrës së administratorit të Gjykatës Komerciale, Ismet Musliu, i cili do të shërbej si ushtrues i detyrës së administratorit deri në një (1) vendim tjetër të KGJK-së.

Anëtarët autorizuan Drejtorin e Përgjithshëm të SKGJK-së, Shkelzen Maliqi, që të vlerësojë kërkesat e Gjykatës Komerciale për caktimin e dy (2) referentëve, një (1) zyrtari të IT-së dhe një (1) dorëzuesi.

Kryesuesi Zogaj njoftoi se me të gjitha vendimet, rregulloret, organogramin dhe planin e punës që u aprovuan sot, por edhe lëndët e transferuara, puna e Gjykatës Komerciale fillon zyrtarisht nga data 1 gusht 2022.

“Duke i dëshiruar punë të mbarë stafit të Gjykatës Komerciale, ju njoftoj se funksionalizimi i plotë i kësaj gjykate do të jetë proces i vazhdueshëm që do të thotë se do të kemi edhe një ceremoni formale në të ardhmen e afërt lidhur me funksionalizimin e saj”, tha Kryesuesi Zogaj.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me tri (3) pika të mbyllura për:

Shqyrtimin e mandatit të Drejtorit të Përgjithshëm të SKGJK-së;

Shqyrtimin e ankesës AD/KGJK/02/2022, të ushtruar ndaj vendimit të autoritetit kompetent AD/GJTHPR/26/22, të datës 04.07.2022 dhe

Vazhdimin e shqyrtimit të raportit për lëndën disiplinore Nr.AD/KGJK/04/2022/GJTHPR-ADGJTHPR/46/21.