Komiteti Këshillëdhënës për Etikë Gjyqësore ka miratuar opinionin e radhës

Komiteti Këshillëdhënës për Etikë Gjyqësore ka miratuar opinionin e radhës

Prishtinë, 27 korrik 2022 – Komiteti Këshillëdhënës për Etikë Gjyqësore duke vendosur lidhur me kërkesën e Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë ka dhënë Opinionin KKEGJ.Nr.04/2022 lidhur me trajtimin me prioritet të rasteve të përfshira në kërkesën e Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sa i përket Opinionit KKEGJ.Nr.04/2022, konkluzionet përfundimtare janë:

Gjyqtarët e tre (3) niveleve të gjykatave të Republikës së Kosovës, në rastet kur në lëndët në pritje me bazë të njëjtë ligjore “Kompensim dëmi”, apo me ndonjë bazë tjetër ligjore të njëjtë, janë përfshirë palët me status ligjor të fëmijës (përfshirë rastet e fëmijëve me aftësi të kufizuara), duhet pa hezitim ti marrin me prioritet në trajtim, edhe nëse në pritje ka lëndë më të vjetra, pasi që vet ligji në këto raste ka përcaktuar prioritetin ligjor të trajtimit të këtyre lëndëve.

Prandaj gjyqtarët janë të obliguar ti zbatojnë këto detyrime ligjore, pavarësisht faktit se rastet me bazë ligjore “Kompensim dëmi “në bazë të Strategjisë të KGJK-së, nuk konsiderohen lëndë me prioritet.

KKEGJ konsideron se gjyqtarët kanë obligime kushtetuese ti marrin në konsideratë dhe ti zbatojnë edhe rekomandimet e Avokatit të Popullit, posaçërisht për rastet si ato të kërkesës së Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi që zbatimi i këtyre rekomandimeve, nuk e cenon në asnjë mënyrë pavarësinë e punës së gjyqtarit. Zbatimi i rekomandimeve të tilla shkon në funksion të zbatimit të obligimeve ligjore që i ka gjyqtari gjatë trajtimit të rastit, dhe kjo nuk mund të konsiderohet ndërhyrje në punën e pavarur të gjykatës dhe të gjyqtarit që ai e ka në bazë të Kushtetutës, ligjit dhe Kodit të Etikës për gjyqtar.

Opinioni gjendet në linkun në vijim: https://www.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/decisions/67196_Opinioni%20KKEGJ%20Nr.%20042022.pdf