Kryesuesi i KGJK-së Albert Zogaj dhe Drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, pjesë e Mbledhjes së 38-të Plenare të Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) në Maltë

Kryesuesi i KGJK-së Albert Zogaj dhe Drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, pjesë e Mbledhjes së 38-të Plenare të Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) në Maltë

Maltë, 27 – 28 qershor 2022 – Me ftesë nga Sekretariati i Këshillit të Evropës, Kryesuesi i Këshillite Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj së bashku me Drejtorin e Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, po marrin pjesë në mbledhjen e tridhjetë e tetë (38) Plenare të Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) e cila po mbahet në Valetta, Maltë.

KGJK e përfaqësuar nga Kryesuesi Zogaj, është pjesë e kësaj mbledhje plenare si një nga partnerët kryesorë të Programit të Përbashkët ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Forcimi i Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë” (KoSEJ II).

Në këtë mbledhje, po diskutohet rreth temës “Rritja e cilësisë dhe efikasitetit të një drejtësie të dixhitalizuar”, sfidave të drejtësisë dixhitale si dhe mënyrat për të përgatitur më mirë gjyqtarët për valën e ndryshimeve.

Mes tjerash po diskutohet lidhur me zhvillimet në drejtësinë kibernetike dhe inteligjencën artificiale, punët në fushën e cilësisë së drejtësisë, menaxhimin e kohës gjyqësore si dhe programet e bashkëpunimit dhe zhvillimet e fundit në fushën e drejtësisë në shtetet anëtare dhe vëzhguese.

Kryesuesi Zogaj dhe Drejtori Fejzullahu u takuan me Presidentin e CEPEJ, Ramin Garagurbanli, Zëvendës Presidentin, Justice Francesco Depasquale, Sekretaren e CEPEJ, Muriel Decot si dhe Zëvendës Sekretaren e CEPEJ, Clemence Bouquemont.

Gjatë kësaj vizite, Kryesuesi Zogaj ishte pjesë e ceremonisë së njëzet (20) vjetorit të CEPEJ, me ç’rast Kryesuesi Zogaj vlerëson lartë bashkëpunimin e vazhdueshëm me Këshillin e Evropës përmes projekteve të cilat kanë për qëllim forcimin e cilësisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor në Kosovë. Kryesuesi Zogaj, në emër të KGJK-së, falënderon Këshillin e Evropës dhe të gjithë përfaqësuesit e projekteve me të cilët KGJK bashkëpunon si dhe ri thekson gatishmërinë për të thelluar këtë bashkëpunim edhe në aktivitetet e radhës.