KGJK pjesë e punëtorisë lidhur me projektin Qasje Publike në Informacionin Gjyqësor

KGJK pjesë e punëtorisë lidhur me projektin Qasje Publike në Informacionin Gjyqësor

Prishtinë, 24.06.2022 – Kryetari i Komisionit për Administrimin e Gjykatave (KAGJ), Fahret Vellija, së bashku me udhëheqës dhe përfaqësues nga SKGJK, po merr pjesë në punëtorinë e organizuar nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), lidhur me planifikimet e projektit Qasje Publike në Informacionin Gjyqësor (PAJI) dhe ndërlidhjen me Sistemin për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL).

Gjatë kësaj punëtorie, po diskutohen aktivitetet e planifikuara të projektit PAJI, i cili do të mbështesë sistemin gjyqësor për rritjen e transparencës përmes përdorimit të teknologjisë të informacionit dhe komunikimit.

Kryetari Vellija, theksoi gatishmërinë e KGJK-së për bashkëpunim të plotë me MFK-në, me qëllim të realizimit të projektit dhe përmbushjes së të gjitha përgjegjësive nga ana e KGJK-së sipas përshkrimit të projektit  të MCC-në.

“KGJK vlerëson lartë angazhimin e MCC-së dhe me këtë rast, falënderojmë përfaqësuesit e MCC-së, dhe ju sigurojmë se të gjitha kërkesat dhe rekomandimet nga kjo punëtori, do të adresohen në KGJK”, tha mes tjerash Kryetari Vellija.