Publikohet Raporti Vjetor i Monitorimit të Gjykatave për vitin 2021

Publikohet Raporti Vjetor i Monitorimit të Gjykatave për vitin 2021

Prishtinë, 22 qershor 2022 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, morën pjesë në konferencën e organizuar nga BIRN Kosova dhe Internews Kosova, ku u prezantua Raporti Vjetor i Monitorimit të Gjykatave për vitin 2021, i cili ka në fokus analizën e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit gjatë vitit 2021.

Gjatë këtij takimi, u diskutuan të gjeturat nga monitorimi i gjykatave nga monitoruesit e BIRN si dhe u adresuan rekomandimet konkrete të dalura nga raporti në fjalë.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, tha se tema e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit, zë një rëndësi të veçantë në punën dhe proceset për reformimin e mëtutjeshëm të sistemit gjyqësor të vendit.

“Me qëllim të rritjes së efikasitetit të gjykatave në trajtimin e lëndëve kundër korrupsionit, KGJK ka miratuar Strategjinë për Zgjidhjen Efikase të Lëndëve të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitet 2022 -2024 si dhe Planin strategjik për përmirësimin e qasjes në drejtësi 2022-2025 efikasiteti dhe prioritizimi i lëndëve brenda sistemit gjyqësor. Po ashtu, ndërhyrjet e KGJK-së me rritjen e numrit të gjyqtarëve të rinj në sistem, rekrutimin e stafit mbështetës si dhe amandamentimin e kuadrit rregullativ dhe atë strategjik, do të kontribuojnë në zbatimin më koherent të politikës ndëshkimore për këto vepra penale”, tha mes tjerash Kryesuesi Zogaj.