Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj vizitoi Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me implementimin e Projektit TIK/SMIL

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj vizitoi Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me implementimin e Projektit TIK/SMIL

Prishtinë, 20.05.2022 – Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj së bashku me Menaxherin e Projektit TIK/SMIL, Fatmir Rexhepi, vizituan Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me implementimin e Projektit TIK/SMIL për këtë gjykatë, me ç‘rast u pritën nga Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci si dhe Gjyqtari Mbikëqyrës, Ilmi Bajrami.

Qëllimi i vizitës së sotme ishte implementimi i Projektit SMIL për Dhomën e Posaçme, si dhe progresi i arritur në lidhje me zbatimin e sistemit SMIL për këtë gjykatë.

Trajnimet e sistemit SMIL për përdoruesit e Dhomës së Posaçme kanë filluar me datë 13 prill 2022, ndërsa është planifikuar që trajnimet të përfundojnë deri në fund të muajit maj 2022. Në DhPGjS do të trajnohen në total dyzet e tre (43) përdorues.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj si dhe Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, theksuan rëndësinë e implementimit të sistemit SMIL për Dhomën e Posaçme si dhe digjitalizimin e punës për këtë gjykatë, duke ndikuar në ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Implementimin i Projektit SMIL dhe përfundimi i trajnimeve për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, shënon edhe implementimin e këtij projekti në të gjitha gjykatat e vendit dhe përfundimin e trajnimeve për përdorimin e sistemit SMIL në gjyqësorin e Kosovës.