Kryetarët e gjykatave raportojnë në KGJK

Kryetarët e gjykatave raportojnë në KGJK

Prishtinë, 12 maj 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 287-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Fillimisht, Kryesuesi Zogaj iu uroi mirëseardhje dy anëtarëve të rinj të Këshillit të zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Nikola Kabašić dhe Andriana Miletić, duke ju dëshiruar punë të suksesshme në përgjegjësitë e tyre si anëtarë të KGJK-së.

Gjatë këtij takimi, para anëtarëve të Këshillit, kryetari i Gjykatës Supreme, gjyqtari mbikëqyrës i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, u.d. kryetari i Gjykatës së Apelit si dhe kryetarët e gjykatave themelore, raportuan për tremujorin e I-rë (janar – mars) për vitin 2022.

Në bazë të këtyre raportimeve, vërehet se ka rezultate pozitive dhe rritje të efikasitetit të punës në të gjitha gjykatat, duke përfshirë publikimin e vendimeve gjyqësore. Përveç sfidave në punën e përditshme, kërkesë e kryetarëve të gjykatave ishte rritja e numrit të gjyqtarëve dhe stafit mbështetës.

Me këtë rast, Kryesuesi Zogaj falënderoi të gjithë kryetarët e gjykatave për kontributin dhe angazhimin e tyre në drejtim të rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies të sistemin gjyqësor.

“Ka trend pozitiv dhe efikasitet në gjykata, në aspektin e përgjithshëm statistikat janë pozitive, prandaj, kërkoi nga të gjithë kryetarët e gjykatave të angazhohen edhe më shumë në mënyrë që të rritet numri i lëndëve të kryera”, tha mes tjerash Kryesuesi Zogaj.

Anëtarët e Këshillit miratuan raportet e tremujorit të I-rë (janar – mars) për vitin 2022. Raportet statistikore të këtyre gjykatave janë publikuar në raport të veçantë, linku në vijim: https://www.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/reports/86839_KGJK_Raporti_Statistikor_Gjykatave_Tremujorit_pare_2022.pdf

Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për shqyrtimin e kërkesave për rishqyrtim të vendimeve të KGJK-së, të datës 5 maj 2022, nga dy (2) kandidatë për gjyqtarë.