Deklaratë e përbashkët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Kosovës

Deklaratë e përbashkët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Kosovës

Prishtinë, 22.04.2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK), kanë mbajtur sot një takim të përbashkët me ç’rast diskutuan për çështjet e ngritura në mes të dy institucioneve, përfshirë edhe çështjen e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Odës së Avokatëve të Kosovës, Këshillit Prokurorial dhe Policisë së Kosovës (datë 26.04.2016), si dhe çështje të tjera që lidhen me përgjegjësitë e të dy institucioneve në të gjitha fushat.

Ndër të tjera, u diskutua çështja e përfaqësimeve, çasjes së avokatëve në gjykatë, përmirësimit të thirrjeve të palëve, pa përjashtuar thirrjet në formë elektronike, përfaqësimit të palëve me asistencë sociale dhe tarifat për ex-officio.

Të dy palët zotohen për zbatimin në mirëbesim të memorandumit, ashtu që ndër të tjera, Oda e Avokatëve të Kosovës, përmes organeve të saj drejtuese, shumë shpejtë do të trajtojë çështjen e zbatimit të Memorandumit të ngritur nga KGJK.

Oda e Avokatëve, zotohet se do t’iu bëjë thirrje avokatëve që të respektojnë standardet profesionale dhe të etikës, ndërsa KGJK zotohet që do t’iu bëjë thirrje gjyqtarëve që t’i trajtojnë avokatët me dinjitet.