Kryesuesi Zogaj: Gjyqësori i Kosovës së shpejti me sistem online të certifikatave nga Evidenca Penale, të hiqen radhët e gjata para gjykatave, qytetarët meritojnë dhe do të kenë një trajtim dinjitoz në marrjen e këtij shërbimi

Kryesuesi Zogaj: Gjyqësori i Kosovës së shpejti me sistem online të certifikatave nga Evidenca Penale, të hiqen radhët e gjata para gjykatave, qytetarët meritojnë dhe do të kenë një trajtim dinjitoz në marrjen e këtij shërbimi

Prizren, 21 prill 2022 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, po merr pjesë në punëtorinë tre (3) ditore të organizuar në bashkëpunim me Projektin e Bashkimit Evropian për Evidencë Penale, si pjesë e përgatitjeve finale në lansimin e një shërbimi të ri për qytetarët të cilët së shpejti do të mund të pajisen online me certifikatat e së kaluarës penale, pa pasur nevojë më që fizikisht të paraqiten para sporteleve të gjykatave me radhë të gjata.

Në këtë punëtori, prezent është edhe Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, kryetarët e gjykatave themelore, shefat e menaxhimit të lëndëve, zyrtarë nga KGJK si dhe zyrtarë tjerë përgjegjës për përdorimin e sistemit NCCR, organizim ky i realizuar në bashkëpunim të ngushtë të projektit të Evidencës Penale të financuar nga BE.

Kryesuesi Zogaj, informoi pjesëmarrësit se, KGJK planifikon që së shpejti të lansoj këtë shërbim online për qytetarët e Kosovës, me ç’rast kërkoi angazhimin e pakursyer të tyre në finalizimin e të gjitha aspekteve teknike dhe ligjore ashtu që, pa asnjë vonesë të ofrohet ky shërbim tejet i rëndësishëm për gjyqësorin e Kosovës dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.

Sistemi elektronik qendror dhe modern është themeluar tashmë dhe është funksional në të gjitha gjykatat themelore dhe degët përkatëse, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe faza pilotuese është duke u zhvilluar me sukses.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, shprehu falënderimin për angazhimin e këtij projekti dhe të KGJK-së për këtë proces të rëndësishëm të reformimit të sistemit të drejtësisë, e sidomos për frymën konstruktive dhe pozitive të punës në punëtori. Ndër të tjerash, ai prezantoi aspekte të rëndësishme të procesit të rehabilitimit ligjor, proces ky i cili në të ardhmen pritet të kryhet në mënyrë automatike nga sistemi elektronik qendrore.

Kryesuesi Zogaj, më tej shprehu falënderimin dhe komplimentet më të sinqerta për ekipin e projektit prezent edhe në punëtori, Bardhyl Hasanpapaj dhe Blerta Berveniku, si dhe shprehu mirënjohje të veçanta për punën e tyre së bashku me ekipin më të gjerë në realizimin e  suksesshëm të këtij projekti madhor dhe sfidues për gjyqësorin e Kosovës.

Në përfundim të ditës së parë të punëtorisë, Kryesuesi Zogaj kërkoi angazhimin maksimal të të gjithë pjesëmarrësve si dhe falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre.