Mbahet takimi i 281-të i KGJK-së

Mbahet takimi i 281-të i KGJK-së

Prishtinë, 24 mars 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 281-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Takimi filloi me miratimin e Udhëzuesit për transferimin e lëndëve në Gjykatën Komerciale dhe shtojcat e tij, qëllimi i të cilit është saktësimi i procedurës së transferimit të lëndëve nga gjykatat e Republikës së Kosovës në Gjykatën Komerciale.

Anëtarët e Këshillit diskutuan lidhur me statusin e administratës gjyqësore, me ç’rast Kryesuesi Zogaj njoftoi anëtarët për kërkesën drejtuar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me qëllim të trajtimit të kërkesave të punonjëseve të administratës gjyqësore, të përfaqësuar nga Sindikata e Judikatures.

“Duke falënderuar grevistët për ndërprerjen e grevës, ri konfirmoj që kërkesat e administratës gjyqësore mbështeten nga KGJK me ç’rast për njoftim të Këshillit, ju njoftoj se të gjitha kërkesat janë adresuar te Kryeministri i Republikës së Kosovës, pa përjashtuar edhe shkresën që është hartuar në konstatim të plotë me sindikatën, e cila është adresuar me kohë”, tha Zogaj.

Drejtori i Përgjithshëm i SKGJK-së, Shkëlzen Maliqi, njoftoi anëtarët lidhur me zhvillimet në punëtorinë e organizuar, me qëllim të hartimit të koncept dokumentit për nëpunësit civilë të personelit administrativ të gjykatave dhe prokurorive, i cili pritet të finalizohet së shpejti.

“Shfrytëzojmë rastin që tu bëjmë thirrje të gjitha gjykatave për dinamizim të proceseve të punës, pasi që greva disa javore ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në sistemin gjyqësor”, tha mes tjerash Zogaj.

Këshilli refuzoi kërkesën e gjyqtares Nushe Kuka Mekaj, nga Gjykata Themelore në Pejë, për lirimin e saj nga dy (2) lëndë.

Anëtarët aprovuan kërkesën e gjyqtarit Valon Kurtaj nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që të angazhohet si anëtar në Bordin Këshillëdhënës Industrial (BKI), pranë Fakultetit Juridik në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”.

Këshilli miratoi: ndryshimin e Planit vjetor të punës së Gjykatës së Apelit për vitin 2022, me numër AGJ.nr.183/2022, ndryshimin e Planit vjetor të punës së Gjykatës Themelore në Prizren për vitin 2022 me numër I.AGJ.nr.25/2022 dhe ndryshimin e Planit vjetor të punës së Gjykatës Themelore në Pejë për vitin 2022, me numër GJ.A.nr.50/2022.

Me qëllim të krijimit të bashkëpunimit, anëtarët miratuan Memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, si dhe autorizuan Kryesuesin e KGJK-së për nënshkrimin e këtij memorandumi.

Sipas kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë, për emërim në Komisionin disiplinor ndaj përmbaruesit privat, Këshilli caktoi për anëtarë të rregullt, gjyqtarët: Manushe Karaqi dhe Adnan Konushevci, ndërsa zëvendës të tyre, gjyqtarët: Agron Hoxhaj dhe Hajrullah Aruqi.

Këshilli caktoi Komisionin për rishqyrtim lidhur me ankesat e kandidatëve për përkthyes dhe interpretë gjyqësor.

Person kontaktues/përfaqësues të gjyqësorit në Rrjetin Gjyqësor Evropian për Çështjet Penale (EJN), për çështje penale, Këshilli emrëroi gjyqtarin Adnan Isufi, nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Anëtarët e Këshillit autorizuan Drejtorin e Përgjithshëm të SKGJK-së, që të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për inicimin e procedurave për shpalljen publike të konkursit nr.01/2022 i jashtëm dhe konkursit nr.01/2022 i brendshëm sipas kërkesave. Po ashtu, autorizuan kryetarët e gjykatave që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për inicimin e zgjedhjes dhe emërimit të nëpunësve, sipas rregulloreve për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në gjykata.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për: shqyrtimin e njoftimit AGJ.nr.93/2022 të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë si dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/07/2022/GJTHPR-AD/GJTHPR.nr.12/2022, me ç’rast vendosi për suspendim të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, L.S, deri në vendimin e rradhës.