KGJK ka vazhduar mbledhjen e 274-të

KGJK ka vazhduar mbledhjen e 274-të

Prishtinë, 30.12.2021 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka vazhduar punimet e takimit të 274-të, nën udhëheqjen e Kryesuesit Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar pikat sipas rendit të ditës.

Këshilli ka filluar takimin me ndryshim plotësimin e kritereve të miratuara sipas vendimit KGJK.nr.03/2021, për shpërndarjen automatike të lëndëve përmes Sistemit për Menaxhim Informativ të Lëndëve (SMIL) për gjykatat themelore.

Takimi ka vazhduar me raportimet e punës së Komisioneve të përhershme të Këshillit për vitin 2021. Fillimisht nga Komisioni për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve, Komisioni për Administrimin e Gjykatave, Komisioni për Buxhet, Financa dhe Personel si dhe Komisioni për Trajnime.

Kryetarët e komisioneve, kanë shpalosur përpara anëtarëve të Këshillit rezultatet, të arriturat dhe sfidat e këtyre komisioneve në kuadër të raporteve të punës për vitin 2021. Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, e ka vlerësuar lartë punën profesionale të këtyre komisioneve, duke theksuar se është bërë një punë intensive e të gjitha komisioneve, përfshirë mekanizmat e vlerësimit në mënyrë që të kemi një sistem unik dhe permanent për vlerësimin e gjithë zyrtarëve që janë pjesë e sistemit. ‘Për vitin e ardhshëm na mbesin shumë sfida, përfshirë këtu mbikëqyrjen dhe avancimin e gjyqtarëve, sistematizimin e vendeve të punës të parapara me organizimin e ri, realizimin e buxhetit për kategori dhe programe, obligimet buxhetore të bartura në vitin 2022  si dhe  pjesën e trajnimeve të gjyqtarëve.

Raportimin për punën e vitit 2021 e ka vazhduar Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së. ‘’Vlerësimi i të arriturave për raportin e SKGJK-së është shumë më i madh sesa ju e keni prezantuar në këtë raport duke pasur parasysh dinamikën e të gjitha njësive në Sekretariatit. Viti 2021 ka qenë vit i planifikimeve dhe vlerësimeve, ndërsa viti i ardhshëm do të jetë vit i implementimit i të gjitha objektivave – ka thënë mes tjerash, Kryesuesi Zogaj.

Në vijim të takimit, Drejtori i Njësisë për Inspektim Gjyqësor ka raportuar për punën e Njësisë për vitin 2021. Me këtë rast, Njësia është vlerësuar për punën e deritanishme, por meqenëse tani ka procese më të rëndësishme që lidhen me integritetin i kërkohet efikasitet dhe përgjegjësi më e madhe.

KGJK, gjithashtu në këtë takim ka miratuar Planin e punës së Njësisë për Inspektim Gjyqësor për vitin 2022.

Anëtarët e Këshillit autorizuan Kryesuesin e KGJK-së, të vlerësoj performancën e Drejtorit të Përgjithshëm  të Sekretariatit  dhe Drejtorit të Njësisë për Inspektim Gjyqësor për vitin 2021, në pajtim me anëtarët e KGJK-së.

Meqenëse, kjo ishte mbledhja e fundit për këtë vit, Zogaj ka falënderuar anëtarët e KGJK-së, Sekretariatin me të gjitha Njësitë dhe me theks të veçantë përkthyesit, duke pasur parasysh dinamikën e punës që ka Këshilli, si dhe të gjithë monitoruesit dhe të gjithë partnerët që kanë qenë intensivisht me Këshillin, duke ju uruar festat e fund vitit, njëherit shëndet dhe suksese.