KGJK ka miratuar Planin e Punës për vitin 2022

KGJK ka miratuar Planin e Punës për vitin 2022

Prishtinë, 29.12.2021 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 274 -të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Në fillim të këtij takimi, anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës miratuan orarin e takimeve për vitin 2022.

Më tej, KGJK ka emëruar gjyqtarin Minir Hoti, Gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Prishtinë – dega Podujevë dhe gjyqtarin Shefqet Baleci, Gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Prishtinë dega Gllogovc, mandati i të cilëve do të filloj nga data 1 janar 2022.

KGJK, çdo vit cakton gjyqtarët mbikëqyrës për anëtarë të Asamblesë, ashtu siç parashihet me Rregulloren Nr.07/2017. Andaj, për vitin 2022, për anëtarë të Asamblesë janë caktuar gjyqtarët mbikëqyrës nga këto degë të gjykatave themelore: GJ.TH. Prishtinë – gjyqtari mbikëqyrës i degës në Podujevë; GJ.TH. Gjilan – gjyqtari mbikëqyrës i degës në Kamenicë; GJ.TH. Prizren – gjyqtari mbikëqyrës i degës në Dragash; GJ.TH. Mitrovicë – gjyqtari mbikëqyrës i degës në Leposaviq; GJ.TH. Gjakovë – gjyqtari mbikëqyrës i degës në Rahovec; GJ.TH. Pejë – gjyqtari mbikëqyrës i degës në Deçan dhe GJ.TH. Ferizaj – gjyqtari mbikëqyrës i degës në Shtërpcë.

Anëtarët e Këshillit, autorizuan pjesëmarrjen e Kryesuesit të KGJK-së në Komitetin Drejtues të Ministrisë së Drejtësisë për Strategjinë për Sundimin e Ligjit për vitin 2021 – 2026.

KGJK gjatë këtij takimi, ka miratuar Planin Vjetor të Punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2022.
Me këtë rast, janë diskutuar objektivat kryesore të Planit të punës të KGJK-së për vitin 2022, ky plan parasheh ndërmarrjen në të gjitha veprimeve dhe aktiviteteve të cilat janë në funksion të mbarëvajtjes dhe konsolidimit të sistemit gjyqësor në vend, përfshirë këtu: Procesin e Rishikimit Funksional të Sundimit të Ligjit në Kosovë, Agjendën Integruese Evropiane, Planin Strategjik për Gjyqësorin e Kosovës 2020-2022, Strategjinë e Sundimit të Ligjit 2021-2026, prioritet e programit për reforma në ekonomi ‘ERA 2’ etj. Kështu që, me realizimin e objektivave të këtij plani, do të fuqizohet menaxhimi i pushtetit gjyqësor në vend, do të rritet efikasiteti i funksionimit të gjyqësorit, do të rritet niveli i transparencës dhe llogaridhënies, do të rritet bashkëpunimi me institucionet vendore dhe ndërkombëtare si dhe disa objektiva të tjera, që kanë për qëllim forcimin e besimit të publikut dhe fuqizimin e sistemit gjyqësor të Kosovës.

Tutje në këtë takim, Këshilli ka miratuar Strukturën organizative (‘Organogramin’) e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Sekretariatit të KGJK-së dhe të Njësisë për Inspektim Gjyqësor.

Gjithashtu, gjatë këtij takimi është shqyrtuar dhe miratuar edhe Rregullorja, Nr. 05/2021 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Gjykatën Supreme dhe Organogrami i Gjykatës Supreme; Rregullorja, Nr. 06/2021 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Gjykatën e Apelit dhe Organogrami i Gjykatës së Apelit si dhe Rregullorja, Nr. 07/2021 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Gjykatën Themelore dhe Degët e tyre, si dhe Organogrami i shtatë (7) Gjykatave Themelore të Kosovës dhe Degëve të tyre.

Këshilli, në këtë takim ka miratuar edhe Udhëzimin Administrativ (03/2021) për Shfrytëzimin dhe Përdorimin e Automjeteve Zyrtare në Gjyqësorin e Kosovës.

Anëtarët e Këshillit kanë shqyrtuar dhe aprovuar vazhdimin për tre (3) muaj të  kontratës me Nr. Ref. 01/2013, ndërmjet KGJK-së dhe IMG për Shërbimet financiare dhe administrative në mbështetje të Projektit SMIL për gjyqësorin e Kosovës, duke autorizuar Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të KGJK-së.

Po ashtu, është miratuar propozimi për krijimin e dosjes elektronike për gjyqtar, ku në data bazën e krijuar të përfshihen edhe të dhënat personale të gjyqtarit, zhvillimin e karrierës, trajnimet, vlerësimi i performancës dhe disiplinimi i tyre.

KGJK, mori vendim që të aprovohet në formë elektronike procedimi i ankesave në lëmin penale gjatë procedurës paraprake në mes të Gjykatave Themelore dhe  Gjykatës së Apelit përmes sistemit për Menaxhim Informativ të lëndëve (SMIL) , duke e cituar si hap shumë ë rëndësishëm për sistemin gjyqësor e që do të hynë në zbatim, nga data 1 shkurt 2022.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me tre (3) pika të mbyllura për: një (1) propozim tek Presidentja e Republikës së Kosovës për lirim nga detyra, shqyrtimi i njoftimit/kërkesës së kryesuesit të Panelit Hetimor i themeluar me vendimin e KGJK.nr.324/202101 në lëndën disiplinore, Nr.AD/KGJK/10/2021 si dhe shqyrtimin e një (1) ankese ndaj vendimit të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së gjyqtarëve.