Diskutohet bashkëpunimi në mes të KGJK-së dhe shoqërisë civile

Diskutohet bashkëpunimi në mes të KGJK-së dhe shoqërisë civile

Prishtinë, 01.12.2021 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka organizuar tryezën e rrumbullakët “Bashkëpunimi mes KGJK-së dhe Shoqërisë Civile”, të mbështetur nga Projekti i USAID – Aktiviteti për Drejtësi.

Pjesë e kësaj tryeze ishin përfaqësues nga KGJK, përfaqësues nga organizatat civile që përcjellin punën e gjyqësorit si: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Lëvizja FOL, Qendra për Avokim dhe Kulturë Demokratike (ACDC), Rrjeti i OJQ-ve AVONET, Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi (INJECT), JETA, Avokatët e Rinj të Kosovës (KYL) si dhe përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe Projekti i USAID – Aktiviteti për Drejtësi.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte diskutimi rreth koordinimit për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta me shoqërinë civile, planifikimi i aktiviteteve të ardhshme si dhe forcimi i bashkëpunimit në mes të KGJK-së dhe Shoqërisë Civile, me qëllim të rritjes së transparencës, llogaridhënies dhe kthimit të besimit në sistemin gjyqësor.

Kryesuesi i KGJK-së Albert Zogaj, ka falënderuar përfaqësuesit e shoqërisë civile për punën e deritanishme dhe theksoi se Këshilli Gjyqësor vazhdon të jetë i gatshëm dhe i hapur për bashkëpunim drejt avancimit të sundimit të ligjit dhe rritjes së llogaridhënies.

 “Misioni ynë është i përbashkët me misionin tuaj, pra drejtësia e barabartë për qytetarët, drejtësia në kohë të arsyeshme dhe drejtësia e besueshme sepse në fund ky është qëllimi ynë i përbashkët. Kërkoj nga ana e juaj monitorim dhe vëmendje në procese të rëndësishme sikurse proceset e rekrutimit, me ç’rast kërkoj edhe vlerësim pas këtyre monitorimeve sepse mbështetja nga organizatat e shoqërisë civile është një ndihmë e madhe për KGJK-në drejt përmirësimit të cilësisë dhe shërbimeve të gjyqësorit në raport me publikun”, tha mes tjerash Kryesuesi Zogaj.

Mes tjerash, u diskutua edhe për propozimet e organizatave të shoqërisë civile për aktivitetet e Planit të Punës së KGJK-së me ç’rast Kryesuesi Zogaj ftoi organizatat që të propozojnë aktivitete të cilat mund të inkorporohen në aktivitetet e Planit të Punës së KGJK-së për vitin 2022.

Duke e cilësuar si të rëndësishme këtë tryezë, përfaqësuesit nga organizatat e shoqërisë civile kanë shprehur interesim dhe gatishmëri për të thelluar bashkëpunimin me KGJK-në me qëllim të realizimit të objektivave të përbashkëta drejt përmirësimit të sistemit gjyqësor.