Mbahet takimi i 272-të i KGJK-së

Mbahet takimi i 272-të i KGJK-së

Prishtinë, 30.11.2021 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 272-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Takimi filloi me shqyrtimin e raporteve të kandidatëve për dy (2) gjyqtar mbikëqyrës të Gjykatës Themelore në Prizren, dega në Dragash dhe dega në Suharekë, mandati i të cilëve është pesë (5) vjeçar dhe do të fillojë nga data 1 dhjetor 2021.

Sipas rekomandimeve të komisioneve vlerësuese për intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve dhe pas zhvillimit të procesit të votimit, me shumicë votash, anëtarët e Këshillit zgjodhën Gjyqtarin Refki Piraj, Gjyqtar Mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash dhe Gjyqtarin Selajdin Gallapeni, Gjyqtar Mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë.

Këshilli mori vendim për përzgjedhjen me short të një të tretës (1/3) së gjyqtarëve që do t’i nënshtrohen vlerësimit të performancës për vitin 2022, përmes programit EXCEL, sipas komandës “RANDOM”.

Anëtarët e Këshillit diskutuan lidhur me nevojën e mbajtjes së procesverbaleve të kolegjiumeve të gjykatave dhe degëve si edhe dërgimi i tyre në KGJK, me ç’rast vendosën që këto procesverbale ti bashkëngjiten raportit të gjykatave dhe t’i dërgohen KGJK-së çdo tre (3) muaj.

Po ashtu, Këshilli aprovoi vendimet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore në Pejë për plotësimin dhe ndryshimin e Planit vjetor të punës për vitin 2021.

Në vazhdim të këtij takimi, u diskutua rreth raportit të Zëvendës Kryesuesit të KGJK-së dhe Kryetarit të Komisionit për Trajnime lidhur me gjendjen aktuale të ndjekjes së trajnimit nga ana e gjyqtarëve me ç’rast anëtarët u dakorduan që në mbledhjen e radhës Këshilli të merr vendim për adresimin e kësaj çështje në raport me Akademinë e Drejtësisë dhe kryetarët e Gjykatave për vijueshmërinë dhe rritjen e cilësisë së këtyre trajnimeve.

Anëtarët shqyrtuan rekomandimet e propozuara nga raporti i vlerësimit të gjendjes së shërbimeve të postës dhe shpërndarësit të gjykatave, ku në mbledhjen e radhës Këshilli do të merr vendim për këtë çështje me qëllim të përmirësimit të këtij procesi.

Këshilli diskutoi dhe miratoi rekomandimet dhe procesverbalin e takimit të Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës.

Po ashtu, anëtarët e Këshillit diskutuan rreth rekomandimeve dhe të gjeturave nga raporti fakt mbledhës i përgatitur nga grupi punues në bashkëpunim me Komisionin për Administrimin e Gjykatave lidhur me funksionimin e administratës gjyqësore.

Mes tjerash, anëtarët diskutuan rreth çështjes së objektit të Arkivit Qendror dhe nevojave të hapësirave të Pallatit të Drejtësisë, më konkretisht të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Komerciale. Lidhur me këtë, Këshilli autorizoi SKGJK-në që të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për zhvillimin e këtij procesi.

Takimi vazhdoi me zgjatjen e afatit deri më 15 mars për hartimin e raportit të komisionit ad hoc të themeluar me vendimin KGJK.nr.249/2021 për auditimin e të dhënave statistikore si dhe zgjatjen e afatit deri më 15 mars për hartimin e raportit të komisionit ad hoc të themeluar me vendimin KGJK.nr.224/2021 për auditimin e ekzekutimeve të dënimeve gjyqësore në lëmin penale dhe kundërvajtje.

Anëtarët e KGJK-së aprovuan shpalljen e konkursit të brendshëm për dy (2) pozita të gjyqtarëve nga komuniteti serb në Gjykatën e Apelit, Divizioni në Mitrovicë. Po ashtu, Këshilli caktoi anëtarët e Panelit për Shqyrtimin e Aplikacioneve, Intervistimin dhe Rekomandimin e kandidatëve për ngritje në detyrë në Gjykatën e Apelit, Divizioni në Mitrovicë si dhe Komisionin për Rishqyrtim të ankesave të kandidatëve për ngritje në detyrë në Gjykatën e Apelit, Divizioni në Mitrovicë.

Këshilli miratoi ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të KGJK-së nr.307/2021 për Emërimin e Komisionit për Rekrutim të gjyqtarëve në Gjykatat Themelore të Republikës së Kosovës.

Takimi vazhdoi me aprovimin e njoftimit të Departamentit të Administratës së Përgjithshme – SKGJK, për pensionimin e gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prizren, dega në Suharekë, Nuredin Abazi. Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me tre (3) pika të mbyllura për: diskutimin rreth propozimit të KGJK-së për kandidatët që nuk janë dekretuar për gjyqtar në gjykata themelore, shqyrtimin e një (1) ankese ndaj vendimit të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së gjyqtarëve dhe rekomandimin/propozimin për riemërimin e tridhjetë e shtatë (37) gjyqtarëve me mandat të përhershëm.