Kryesuesi i KGjK-së, Albert Zogaj takoi kryetarët e gjykatave

Kryesuesi i KGjK-së, Albert Zogaj takoi kryetarët e gjykatave

Prishtinë, 21.10.2021 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Albert Zogaj, ka mbajtur takim me kryetarët e gjykatave themelore, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme.

Në këtë takim, Kryesuesi Zogaj diskutoi për Planin e Punës 2022, buxhetin e vitit të ardhshëm dhe përfshirjen e kontributit të kryetarëve të gjykatave dhe Asamblesë në këtë plan.

Më tutje është diskutuar numri i madh i lëndëve dhe adresimi i tyre për çështjet e shujtave, pagave jubilare dhe proceseve përmbarimore. Përveç kësaj, Zogaj, njoftoi kryetarët e gjykatave lidhur me iniciativën e hartimit të strategjisë për zvogëlimin e lëndëve të vjetra dhe format e standardizuara të vendimeve procedurale.

Gjatë takimit u diskutua për të gjeturat e Dokumentit të Punës së Stafit të Komisionit – Raporti i Kosovës 2021, me ç’rast Kryesuesi Zogaj, kërkoi nga krerët e gjykatave përfshirjen e tyre në agjendën e përmbushjes së detyrave të dalura nga ky Raport.

Në fund, Kryesuesi Zogaj ka kërkuar angazhim në realizimin e detyrave në bazë të përgjegjësive që kanë kryetarët e gjykatave, unifikim të praktikave nëpër gjykata si dhe bashkëpunim të mirëfilltë mes vete, me qëllim të rritjes së efikasitetit të punës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor.