Mbahet takimi i 267-të i KGJK-së

Mbahet takimi i 267-të i KGJK-së

Prishtinë, 07.10.2021 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 267-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Në fillim të takimit, z. Shawn Waddoups nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, Drejtor i Zyrës për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit (INL), prezantoi Projektin e Audio – Video Incizimit që do të financohet nga INL.

Z.Shawn shpalosi para anëtarëve të KGJK-së përmbajtjen dhe rëndësinë e projektit dhe theksoi: “Jemi të lumtur që edhe përmes këtij projekti të ndihmojmë KGJK-në për pajisjen e të gjitha sallave të gjykimit me mjetet më moderne të teknologjisë”. Ai theksoi që ky projekt do të ndikoj në përmirësimin e procesit gjyqësor, ngritjes së transparencës dhe sigurinë e evidentimit të gjithë procedurës gjyqësore.

Këshilli falënderoi z.Shawn dhe Ambasadën Amerike për mbështetjen e vazhdueshme si dhe shprehu përkushtimin për të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin në praktikë të këtij projekti.

Anëtarët e Këshillit vendosën për rishpalljen e konkursit për Kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren, me ç’rast caktuan edhe Komisionin Vlerësues për Intervistim, Vlerësim dhe Rekomandimin e kandidatëve për këtë pozitë.

Po ashtu, anëtarët aprovuan ndryshimin e vendimit KGJK.nr.255/2021 për përbërjen e Komisionit për Intervistim, Vlerësim dhe Rekomandimin e kandidatëve për gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore Ferizaj, dega në Kaçanik.

Mes tjerash, u aprovua propozimi i Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani Rama për caktimin e gjyqtares Anita Krasniqi Prenaj, mentore e gjyqtares me mandat fillestar znj.Rrezarta Lleshaj në Akademinë e Drejtësisë.

Në vijim, anëtarët diskutuan rreth procesverbalit dhe shqyrtuan rekomandimet e nxjerra nga takimi i Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës lidhur me adresimin e çështje të diskutuara në takimin e fundit të Asamblesë.

Gjatë takimit, u prezantua dhe u aprovua, Projekt Propozimi i fazës së katërt (4) tranzitore, të Projektit TIK-SMIL për periudhën 2022-2024 dhe u aprovua plani i veprimit për të siguruar kualitetin e të dhënave në SMIL dhe Sistemin Kombëtar Qendror të Evidencës Penale në Kosovë (NCCR).

Në vijim të këtij takimi, Këshilli caktoi grupin punues për hartimin e Protokollit mbi referimin e rasteve civile në procedurën e ndërmjetësimit nga gjykatat.

Takimi vazhdoi me shqyrtimin e raporteve të kandidatëve për gjyqtar mbikëqyrës të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri. Sipas rekomandimeve të Komisionit vlerësues për intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve dhe pas zhvillimit të procesit të votimit, anëtarët e KGJK-së zgjodhën gjyqtarin Agron Maxhuni, Gjyqtar Mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Gjykatën Themelore Mitrovicë, dega në Vushtrri, mandati i të cilit është pesë (5) vjeçar dhe do të fillojë nga data 7 tetor 2021.

Anëtarët e Këshillit themeluan edhe Komisionin për vlerësimin e performancës së gjyqtares Ljiljana Stevanović, e cila është kandidate për pozitën e Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me një (1) pikë të mbyllur për shqyrtimin e një rasti disiplinor.