Kryesuesit Zogaj dhe Maloku diskutojnë për përgatitjen e fazës së re të projektit TIK-SMIL

Kryesuesit Zogaj dhe Maloku diskutojnë për përgatitjen e fazës së re të projektit TIK-SMIL

Prishtinë, 28 shtator 2021 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, është pritur sot në takim nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku.

Me këtë rast, dy kryesuesit e Këshillave, biseduan për përgatitjen e fazës së re të Projektit TIK-SMIL për periudhën 2022-2024, fazë kjo, e cila parasheh avancimin e mëtejshëm të Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL) nëpër prokurori dhe gjykata, si dhe shkëmbimin elektronik të të dhënave me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit në Kosovë.

Të dy bashkëbiseduesit, potencuan se kjo fazë planifikohet të finalizohet gjatë muajit nëntor të këtij viti dhe do të fillojë së zbatuari nga 1 janari 2022, e cila do të financohet pjesërisht nga Qeveria e Mbretërisë së Norvegjisë.

Projekti SMIL, deri më tani, është duke u zbatuar në të gjitha gjykatat themelore dhe prokuroritë dhe në ato të Apelit, si dhe ka arritur të realizohet edhe shkëmbimi elektronik i të dhënave në sistemin e regjistrit civil, regjistrit të bizneseve, pastaj ndërmjet Policisë së Kosovës, gjykatave dhe prokurorive.