Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, pjesë e tryezës “Sfidat e sistemit gjyqësor në zbatimin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi”

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, pjesë e tryezës “Sfidat e sistemit gjyqësor në zbatimin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi”

Prishtinë, 15.09.2021 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, me temën: “Sfidat e sistemit gjyqësor në zbatimin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi”.

Qëllim i kësaj tryeze ishte diskutimi rreth diskriminimit, si një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut, si dhe forcimi i bashkëpunimit në mes të Institucionit të Avokatit të Popullit dhe sistemit gjyqësor e prokurorial në Kosovë, me qëllim që të mbrohen të drejtat e njeriut, të luftohet kjo dukuri negative dhe të promovohet barazia e qytetarëve para ligjit.

Kryesuesi Zogaj, prezentoi të dhënat statistikore për çështjet gjyqësore që u referohen ose kanë elemente të diskriminimit, gjithashtu ai njoftoi të pranishmit në lidhje me të arriturat e gjyqësorit për përpunimin e të dhënave statistikore nga sistemi informativ për menaxhimin e lëndëve.

“Si gjyqtar i Gjykatës Supreme, e vlerësoj mjaft sfidues shqyrtimin e rasteve/situatave diskriminuese prandaj Këshilli Gjyqësor i Kosovës mbetet i përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e diskriminimit dhe pa dyshim se mbështetja nga Gjykata Kushtetuese dhe Institucionit të Avokatit të Popullit është një ndihmë e madhe për KGJK-në”, tha mes tjerash Kryesuesi Zogaj.

Duke e cilësuar si të rëndësishme këtë tryezë, pjesëmarrësitë kanë diskutuar edhe për sfidat në zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen nga diskriminim si dhe idetë për avancimin e procedurave që kanë të bëjnë me këtë çështje.