Kryesuesi Zogaj ka vizituar Gjykatën Themelore në Prishtinë

Kryesuesi Zogaj ka vizituar Gjykatën Themelore në Prishtinë

Prishtinë, 06.09.2021 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Albert Zogaj, i shoqëruar nga Kryetari e Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci si dhe u.d Kryetarit të Gjykatës së Apelit, Afrim Shala kanë zhvilluar një vizitë pune në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me ç’rast janë pritur nga Kryetarja Albina Shabani – Rama dhe gjyqtarët e të gjitha departamenteve në këtë gjykatë.

Gjatë këtij takimi, Kryetarja e Gjykatës Themelore, Shabani Rama, njoftoi të pranishmit me sfidat dhe të arriturat e kësaj gjykate, duke u ndalur me theks të veçantë tek numri i madh i lëndëve, mungesa e stafit mbështetës, trajtimi i lëndëve të vjetra si dhe lëndëve të kthyera në rigjykim.

Në anën tjetër, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka pohuar se do të jetë në shërbim të plotë për të ofruar mbështetjen e nevojshme për çdo gjyqtarë, në mënyrë që të krijohen kushte sa më të mira për ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive përkatëse duke kërkuar njëherit edhe shtimin e efikasitetit të më të madh të punës në gjykatë me qëllim të ngritjes së efikasitetit si dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor.

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, ka kërkuar nga kryetarja e gjykatës dhe të gjithë gjyqtarët e kësaj gjykate përkushtim më të madh në trajtimin e udhëzuesit për unifikimin e politikave ndëshkimore.

Në fund, krerët e sistemit gjyqësor kanë ofruar bashkëpunim dhe përkrahje për Kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Rama – Shabani, për të gjithë stafin mbështetës në kryerjen e detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, si dhe u pajtuan që në të ardhmen të mbajnë sa më shumë takime të përbashkëta me qëllim të unifikimit të praktikave të gjykatave.