Zgjedhen anëtarët e KGjK-së nga radhët e gjyqësorit

Zgjedhen anëtarët e KGjK-së nga radhët e gjyqësorit

Prishtinë, 21.06.2021 – Në organizimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), gjyqtarët e gjykatave themelore kanë votuar sot, zgjedhjen e dy (2) gjyqtarëve të nominuar për anëtarë të KGjK-së nga radhët e gjyqësorit.

Kandidatë të nominuar për anëtarë të KGjK-së nga Gjykatat Themelore ishin: Arjeta Sadiku, e nominuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Besnik Bislimaj, i nominuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë, Fidan Hoxha, i nominuar nga Gjykata Themelore në Prizren, Mirlinda Bytyqi – Rexhepi, e nominuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, Veli Kryeziu, i nominuar nga Gjykata Themelore në Gjilan dhe Veton Ademaj, i nominuar nga Gjykata Themelore në Pejë.

Me votim të fshehtë dhe me shumicë votash, gjyqtarët e Gjykatave Themelore kanë zgjedhur kolegët e tyre Arjeta Sadiku dhe Fidan Hoxha, anëtarë të KGjK-së. 

Të përzgjedhurit nga radhët e Gjykatave Themelore, konsiderohen si anëtarë të KGjK-së, ndërsa në ditët në vijim certifikimin do ta bëjë KGjK-ja. Mandati i tyre si anëtarë të KGjK është 5 vjeçar.

Biografia e gjyqtares Arjeta Sadiku

Arjeta Sadiku është gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Gjyqtarja Sadiku ka diplomuar në Fakultetin Juridik,Universiteti i Prishtinës në vitin 2007. Provimin e jurisprudencës e përfundoi në vitin 2010. Praktikën profesionale e mbajti në periudhën e viteve 2007-2008 në Gjykatën Komunale në Vushtrri, ndërsa nga viti 2010 deri në vitin 2013 ka punuar si avokate në komunën e Vushtrrisë. Gjithashtu nga viti 2013 deri në vitin 2015 ajo ushtroi detyrën si bashkëpuntore profesionale në Dhomën e Posaqme të Gjykatës Supreme në Prishtinë, ndërkaq në periudhën prej shkurt 2015 deri maj 2015 ka punuar këshilltare ligjore në Eulex. Arjeta Sadiku është emëruar gjyqtare në Departamentin për Çështje Administrative në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe ende vazhdon ta kryej këtë detyrë.

Biografia e gjyqtarit Fidan Hoxha

Fidan Hoxha është gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prizren, ka diplomuar në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës në vitin 2012, ku vazhdon të ndjek studimet posdiplomike, ndërsa provimin e jurisprudencës e përfundoi në vitin 2015. Praktikën profesionale e kreu nga viti 2012 deri në vitin 2013 në Gjykatën e Themelore në Prizren. Nga viti 2013 deri në vitin 2014 ka punuar si jurist në kompaninë private ‘’Llapusha’’ në Prizren. Në vitin 2014 deri në vitin 2017 ka punuar si zyrtar ligjor në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Me datën 31 korrik 2017 është emëruar si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prizren.