Mbahet takimi i 256-të i KGjK-së

Mbahet takimi i 256-të i KGjK-së

Prishtinë, 07.06.2021 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 256-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Anëtarët e Këshillit, aprovuan kërkesën e Akademisë së Drejtësisë dhe caktuan gjyqtarin, Hajrullah Aruqi, mentor të lëmisë civile, nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj.

Takimi vazhdoi me aprovimin e njoftimit të Departamentit të Administratës së Përgjithshme – SKGjK, për pensionimin e gjyqtarit të Gjykatës Themelore Prishtinë, dega në Podujevë, Xhevat Devolli.

Në vijim, anëtarët e KGjK-së, aprovuan kërkesën e Kryetares së Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve, gjyqtares Teuta Ibrahimi, për lirimin nga norma e lëndëve për 30% të anëtarëve të këtij komisioni, deri më datë 31.12.2021, me qëllim që procesi i vlerësimit të gjyqtarëve të përfundohet me kohë dhe sukses.

Po në këtë takim, Këshilli aprovoi projekt propozimin për zvogëlimin e lëndëve të vjetra në Gjykatën e Apelit – Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil me qëllim të ngritjes së efikasitetit në trajtimin e lëndëve të grumbulluara. Gjithashtu, Këshilli aprovoi vendimin për hapjen e procesit për përzgjedhjen e Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës ku konkursi do të jetë i hapur në afat prej 15 ditësh.

Anëtarët e KGjK-së, aprovuan kërkesën e U.D. Gjyqtarit Mbikëqyrës të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Ilmi Bajrami, për kompensim në pagë ekuivalent me gjyqtarët mbikëqyrës të gjykatave të tjera të vendit.

Këshilli formoi grupin punues për përkrahje të përfaqësuesve të gjyqësorit lidhur me çështjen e vetingut. Po ashtu, lidhur me kërkesën e gjyqtares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Arjeta Sadiku, anëtarët e Këshillit autorizuan Komisionin përkatës për udhëheqjen e zgjedhjes për anëtarë të Këshillit të kandidatëve nga Gjykata Themelore në Prishtinë, t’i kthej përgjigje gjyqtares në fjalë.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dyer të mbyllura për shqyrtimin e një (1) kërkese për themelim të Panelit Hetimor.