Mbahet takimi i 254-të i KGjK-së

Mbahet takimi i 254-të i KGjK-së

Prishtinë, 11.05.2021 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 254-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Gjatë këtij takimi, para anëtarëve të Këshillit, kryetarët e gjykatave themelore dhe Kryetari i Gjykatës së Apelit, raportuan për tremujorin e I-rë  (janar – mars) të vitit 2021 si dhe planet vjetore të gjykatave për vitin 2021. Nga paraqitja e këtyre raporteve u vërejt se përkundër sfidave me pandeminë COVID-19 dhe mbingarkesave me lëndë, puna ka vazhduar në të gjitha gjykatat.

Kryesuesi Çoçaj falënderoi të gjithë kryetarët e gjykatave për punën në gjykatat e tyre edhe në rrethanat e pandemisë, e cila ka pasur ndikim të madh në pamundësinë e zgjidhjes së lëndëve në kohë.

“Kërkoi nga të gjithë kryetarët e gjykatave që rastet dhunës në familje t’i trajtoni me prioritet të jashtëzakonshëm, të bashkëpunoni me Koordinatorin për lëndët e shënjestruara si dhe të siguroheni se Sistemi për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL) dhe Sistemi Qendror i Evidences Penale (NCCR) po përdoren për kryerjen e punëve në gjykata”, – tha Kryesuesi Çoçaj.

Duke pasur parasysh nevojën për staf të ri dhe gjyqtarë në gjykata, Çoçaj tha se Këshilli po punon në këtë drejtim dhe ka filluar procedurat për rekrutimin e stafit të ri.

Në fund, Këshilli formoi Komisionin për pranimin dhe shqyrtimin e dokumentacioneve të kandidatëve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.