Çoçaj pjesë e konferencës online “Afrimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut pranë bartësve të së drejtës”

Çoçaj pjesë e konferencës online “Afrimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut pranë bartësve të së drejtës”

Prishtinë, 06.05.2021 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, ka marrë pjesë në konferencën online “Afrimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut pranë bartësve të së drejtës”, organizuar nga Këshilli i Evropës.

Qëllimi i kësaj konference ishte prezantimi i përmbledhjeve të jurispodencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të mbështetura nga ana e projektit si dhe diskutimi rreth praktikave të mira dhe mjeteve për përdorimin efektiv të jurispodencës gjyqësore, parimeve dhe metodologjisë së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut nga ana e Gjykatave Vendore.

Kryesuesi Çoçaj falënderoi Këshillin e Evropës për organizimin e kësaj konference përmes së cilës pjesëmarrësit përfitojnë nga praktikat më të mira të respektimit të standardeve evropiane për të drejtat e njeriut.

“Është shumë e rëndësishme ngritja e kapaciteteve të gjyqtarëve dhe bashkëpunëtorëve profesional të gjykatave tona, për të zbatuar standardet evropiane të të drejtave të njeriut të përcaktuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe praktikën e GJEDNJ-së. Po ashtu, është shumë e rëndësishme që gjyqtarët të përdorin sa më shumë praktikën gjyqësore të GJEDNJ në arsyetimet pasi që zbatimi i kësaj praktike do të kontribuojë në një cilësi më të mirë të aktgjykimeve dhe arsyetimeve të tyre dhe rrjedhimisht do të përmirësojë qasjen në drejtësi të bartësve të të drejtave”, tha mes tjerash Çoçaj.