Mbahet takimi i 251-të i KGjK-së

Mbahet takimi i 251-të i KGjK-së

Prishtinë, 15 prill 2021 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 240-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Anëtarët e Këshillit, aprovuan Rregulloren 01/2021 për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve si dhe aprovuan anulimin e konkursit për anëtarë të Komisionit për Vlerësim të Performancës së Gjyqtarëve dhe ri shpalljen e konkursit të ri në afat prej 8 ditësh, ku të gjitha aplikimet e mëhershme mirën si të mirëqena.

Në vijim, anëtarët e KGjK-së, autorizuan Kryesuesin e KGjK-së që të aprovojë draft Memorandumet e Mirëkuptimit në mes të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Fakultetit Juridik – Universiteti i Prishtinës, si dhe në mes të KGjK-së dhe OJQ-së RoLAG. Po ashtu, Këshilli mori vendim për shpalljen e dy (2) pozitave të lira për anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatave Themelore.

Po në këtë takim, Këshilli miratoi delegimin për anëtare rezervë të Panelit për Lirim me Kusht nga radha e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, gjyqtaren Makifete Saliuka, gjyqtare në Departamentin e Përgjithshëm-Divizioni Civil. Takimi vazhdoi me aprovimin e njoftimit të Departamentit të Administratës së Përgjithshme – SKGjK, për pensionimin e gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Beqir Halili, gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Isuf Makolli, gjyqtarit mbikëqyrës të Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, Jonuz Bugari dhe gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, Ahmet Idrizaj.

Këshilli aprovoi kërkesën për bashkëfinancimin e Projektit “Sistemi Kombëtar Qendror i Evidencës Penale (NCCR) në Kosovë”, në mënyrë që ky sistem të avancohet edhe më tutje sipas planit të qëndrueshmërisë.

Anëtarët e KGjK-së, aprovuan rekomandimet e Komisionit për Administrimin e Gjykatave për Krijimin e Komisioneve për vlerësim dhe testim të kandidatëve për interpret dhe përkthyes gjyqësor për çift gjuhësh: Shqip – Serbisht dhe anasjelltas, Serbisht-Anglisht dhe anasjelltas, si dhe aprovuan shpalljen e konkursit për certifikim të interpretëve dhe përkthyesve gjyqësorë të këtyre gjuhëve.

Po ashtu, anëtarët caktuan komisionet vlerësuese për intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve për kryetar të gjykatave, gjyqtarëve mbikëqyrës dhe të kandidatëve për gjyqtar nga komuniteti serb për Gjykatën e Apelit – divizioni në Mitrovicë.

Këshilli autorizoi Komisionin për Çështje Normative për: analizimin e ndryshimit të Rregullores për rekrutimin e gjyqtarëve të rinj, vlerësimin e mënyrës së themelimit të grupit këshillëdhënës për etikë në bashkëpunim me kryetarin e Komisionit për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve, caktimin e një grupi punues i cili në kuadër të Komisionit për Administrimin e Gjykatave, do të punojë një raport përmbledhës për punën e administratave të gjykatave si dhe analizimin e modaliteteve dhe mundësive financiare për formimin e kabinetit të Kryetarit të Gjykatës Supreme në bashkëpunim me Sekretariatin e KGjK-së. Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dyer të mbyllura për shqyrtimin e katër (4) rasteve disiplinore.