Mbahet takimi i 249-të i KGjK-së

Mbahet takimi i 249-të i KGjK-së

Prishtinë, 24 mars 2020 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 249-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Në fillim të këtij takimi, anëtarët e Këshillit aprovuan certifikimin e rezultatit zgjedhor për zgjedhjen e anëtarëve të KGjK, me ç’rast iu uruan mirëseardhje dhe punë të suksesshme. Gjyqtarët Albert Zogaj, Teuta Ibrahimi dhe Drita Rexha janë tre anëtarët më të rinj të KGjK-së, të cilët janë përzgjedhur nga kolegët e tyre, nga Gjykata Supreme, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme dhe Gjykata Themelore në Prishtinë.

Takimi vazhdoi me aprovimin e njoftimit të Departamentit të Administratës së Përgjithshme – SKGjK, për pensionimin e gjyqtares së Gjykatës së Apelit, Biljana Rexhiq, gjyqtares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Milosava Tanić dhe gjyqtares së Gjykatës Supreme, Gyltene Sylejmani.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e KGjK-së, aprovuan propozimin për plotësim ndryshimin e Rregullores për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve, të nenit 5 dhe 30 të kësaj rregulloreje. Po ashtu, Këshilli caktoi gjyqtaren Teuta Ibrahimi, Kryetare të Komisionit për Vlerësimin e Performancës se Gjyqtarëve, gjyqtarin Albert Zogaj, anëtar rezervë për Komisionin për Administrim të Gjykatave, gjyqtarin Avni Mehmeti, Kryetar të Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe gjyqtaren Drita Rexha, anëtare të rregullt të këtij komisioni, si dhe gjyqtaren Teuta Ibrahimi, anëtare rezervë për Komisionin për Çështje Normative.

Anëtarët e KGjK-së aprovuan draft Raportin Vjetor të KGjK-së për vitin 2020. Kryesuesi Çoçaj tha se, ‘’Ky vit ishte vit i sfidave për shkak të gjendjes me Pandemin Covid -19, por mbi të gjitha sistemi gjyqësor shënoj progres të caktuar’’. Gjithashtu, në vijim të takimit,  është aprovuar edhe draft Plani i Përgjithshëm i Personelit për Administratën Gjyqësore me ç’rast, Kryesuesi Çoçaj autorizoi Drejtorin e Përgjithshëm të SKGjK-së, Shkelzen Maliqi, që të zhvilloj procedurat e radhës me këtë plan.

Anëtarët e Këshillit aprovuan shpalljen e konkursit për dy gjyqtarë nga komuniteti serb për Gjykatën e Apelit, divizioni në Mitrovicë si dhe caktuan gjyqtaren Nushe Kukaj – Metaj, Nënkryetare të Gjykatës Themelore në Pejë.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dyer të mbyllura për shqyrtimin e pesë (5) rasteve disiplinore.