Zgjedhen anëtarët e KGjK-së nga radhët e Gjykatës Supreme

Zgjedhen anëtarët e KGjK-së nga radhët e Gjykatës Supreme

Prishtinë, 10.03.2021 – Në organizimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) e në ambientet e Gjykatës Supreme, gjyqtarët e kësaj gjykate kanë votuar sot, zgjedhjen e dy gjyqtarëve të nominuar për anëtarë të KGjK-së.

Kandidatë të nominuar për anëtarë të KGjK-së nga Gjykata e Supreme ishin, Albert Zogaj, Diellza Hoxha, Hajrie Shala, Sahit Sylejmani, Shkëlzen Sylaj dhe Teuta Ibrahimi.

Me votim të fshehtë dhe me shumicë votash, gjyqtarët e Gjykatës Supreme kanë zgjedhur kolegët e tyre Albert Zogaj dhe Teuta Ibrahimi, anëtarë të KGjK-së. Gjyqtari Zogaj mori 23 vota, kurse gjyqtarja Ibrahimi mori 18 vota.

Të përzgjedhurit nga radhët e Gjykatës Supreme, konsiderohen si anëtarë të KGjK-së, ndërsa në ditët në vijim certifikimin do ta bëjë KGjK-ja. Mandati i tyre si anëtarë të KGjK është 5 vjeçar.

Biografia e gjyqtarit Albert Zogaj

Albert Zogaj është gjyqtar në Gjykatën Supreme, dega civile. Gjyqtari Zogaj ka diplomuar me 30.06.2004, në Fakultetin Juridik në  Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet post-diplomike në drejtimin Juridiko-Civil i ka përfunduar në vitin 2008. Nga dhjetori 2004 deri në dhjetor 2005, ka punuar si avokat-praktikat në Odën e Avokatëve të Kosovës. Në shkurt të viti 2006, përfundoi provimin e jurisprudencës ndërsa nga shkurti i vitit 2006 e deri në tetor të vitit 2010, punoi si avokat në Pejë. Në tetor të vitit 2010 është emëruar gjyqtar në Gjykatën Komunale në Prishtinë, ku ka punuar deri në dhjetor të vitit 2012.  Nga viti 2013 deri më 2015 punoi si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin e Përgjithshëm. Në gusht të vitit 2015 është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit, në Prishtinë, në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil. Në shtator 2020 është zgjedhur gjyqtar në Gjykatë Supreme. Prej vitit 2008 punon si ligjërues në Kolegjin AAB, njëkohësisht është edhe trajnues në Akademinë e Drejtësisë, në programin fillestarë dhe të vazhdueshëm të arsimimit ligjor. Ka punuar dhe ka marrë  pjesë në disa hulumtim-punime profesionale me institucione të ndryshme si Qendra Juridike e Kosovës, Qendra për të Drejtat e Njeriut e Universitetit të Prishtinës, Institutit Gjyqësor të Kosovës.

Biografia e gjyqtares Teuta Ibrahimi

Teuta Ibrahimi është Kryesuese e Kolegjit të Specializuar II në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Ka Diplomuar Fakultetin Juridik -Universiteti i Prishtinës. Më 2002, ka kryer provimin e gjyqtarit për kundërvajtje. Më 2006, ka kryer provimin e Jurispodencës. Ka ndjekur Programin Fillestar për Arsimimin Ligjor dhe kalimin e Provimit Përgatitor për gjyqtarë dhe prokurorë  (Diplomë 2012). Më 2014, ka marrë gradë shkencore  master penal  (LLM). Publikimet: Etika Gjyqësore dhe Prokuroriale, rëndësia e të Qenurit i/e Drejtë, i/e Paanshëm/e dhe i/e  Pavarur. Fillimisht ka punuar si Administrator në SHMT. Prej datës 04 janar 2005 deri me 31 dhjetor 2005, ka punuar si bashkëpunëtore profesionale në Njësinë e Inspektimit Gjyqësor pranë Departamentit të Drejtësisë. Prej datës 01 janar 2006 deri 30 nëntor 2009, ka punuar si Inspektore gjyqësore pranë Zyrës së Prokurorit Disiplinor. Prej datës 01 dhjetor 2009 deri me 02.07.2014, ka punuar si Prokurore Disiplinore – Inspektore e Lartë Gjyqësore pranë Zyrës së Prokurorit Disiplinor. Prej datës 03 korrikut 2014, është emëruar gjyqtare në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.