Mirënjohje për ndihmën e ofruar nga Projekti i Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, INL

Mirënjohje për ndihmën e ofruar nga Projekti i Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, INL

Prishtinë, 08.02.2021 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skender Çoçaj, priti sot në takim Drejtorin e Zyrës për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit (INL), z. Shawn Waddoups si dhe Përfaqësuesen e Grandeve për Sundimin e Ligjit nga INL, znj. Dafina Bardhi Rexhepi me ç’rast u nënshkrua Marrëveshja për Donacion ndërmjet Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kryesuesi Çoçaj ka falënderuar z. Waddoups për ndihmën e dhënë nga Ambasada e SHBA-ve në Kosovë për përfundimin me sukses të projektit për arkivat në gjykatat e vendosura në objektin e Pallatit të Drejtësisë. Me përfundimin e projektit të arkivave, është arritur të krijohen kushte moderne për arkivimin dhe qasjen në lëndët e arkivuara, si dhe do të krijohen kushte më të mira për palë.

Gjithashtu, Kryesuesi Çoçaj falënderoi edhe për fillimin e zbatimit të Projektit të Audio Incizimit për sallat e gjykatave, përmes të cilit synohet të bëhet furnizimi me pajisje të TIK-ut, me të cilat do të bëhet incizimi audio dhe video i seancave gjyqësore për mbajtjen e seancave online si dhe shërbime tjera të avancuara përmes përdorimit të teknologjisë.

Në shenjë respekti dhe falënderimi, Kryesuesi i ndau një mirënjohje z. Waddoups në emër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për përkrahjen e vazhdueshme të Projektit INL, në veçanti të Ambasadës Amerikane dhe popullit amerikan në përgjithësi, ndaj sistemit gjyqësor.

Në anën tjetër, z. Waddoups, ka falënderuar Kryesuesin Çoçaj për mikpritje duke i premtuar bashkëpunim dhe partneritet të vazhdueshëm edhe me projektin e ri. Tutje, ai tha se ndjehet i lumtur që KGjK mbetet një partner shumë i mirë për bashkëpunim me qëllim të ngritjes së efikasitetit në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës.