U mbajt takimi i radhës i Bordit Drejtues të Projektit TIK/SMIL

U mbajt takimi i radhës i Bordit Drejtues të Projektit TIK/SMIL

Prishtinë, 28.01.2021 – Është mbajtur takimi i tridhjetë e tretë (33) me radhë i Bordit Drejtues të Projektit TIK/SMIL, ku të pranishëm ishin edhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku dhe përmes video-konferencës morën pjesë përfaqësues nga Ambasada Norvegjeze në Prishtinë, Këshilli i Evropës në Prishtinë, Ministria e Drejtësisë si dhe ekspertë të huaj dhe vendor.

Në këtë takim u prezantua Raporti i Progresit të Projektit SMIL për periudhën korrik-dhjetor 2020, u diskutuan të arriturat kryesore të Projektit për këtë periudhë dhe u miratua Plani Vjetor i Punës i Projektit SMIL për vitin 2021.

Kryesuesi Çoçaj, tha se përkundër gjendjes së krijuar me pandeminë, Projekti SMIL ka vazhduar me sukses implementimin e aktiviteteve të parapara për këtë vit. Ndër të tjera, theksoi të arriturat kryesore gjatë kësaj periudhe si: trajnimet dhe zbatimi i SMIL në Gjykatën Supreme, Gjykatën e Apelit, Prokurorinë e Apelit dhe degët e gjykatave në Zubin Potok dhe Leposaviq, implementimi i shpërndarjes automatike të lëndëve në gjykatat dhe prokuroritë themelore, ndërlidhja elektronike prokurori-gjykatë, regjistrimi i lëndëve në Gjykatën e Apelit si dhe aktivitet e tjera të implementuara me sukses gjatë vitit 2020.