Mbahet takimi i parë i Komitetit Drejtues të Projektit EUKOJUST

Mbahet takimi i parë i Komitetit Drejtues të Projektit EUKOJUST

Prishtinë, 25.01.2021 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skender Çoçaj, mori pjesë në takimin e parë të Komitetit Drejtues të Programit të Sektorit të Drejtësisë për Kosovën i Bashkimit Evropian, Projekti ‘EUKOJUST’, i cili është i financuar nga BE-ja, që zbatohet nga konsorciumi i përbërë nga Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), si drejtues bashkë me partnerët e rinj Qendra Holandeze për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (CILC) dhe Ministria e Drejtësisë e Kroacisë (MD e Kroacisë).

Qëllimi i këtij projekti është reformimi i sistemit të drejtësisë në pajtim me standardet evropiane dhe ato ndërkombëtare. Qasja e projektit është e orientuar kah nevojat dhe do t’i shërbejë sektorit të drejtësisë dhe qytetarëve të Kosovës. Projekti do të zhvillohet në bazë të rezultateve të projekteve të mëparshme dhe pritet të ketë ndikim pozitiv në sektorin e drejtësisë në Kosovë. Cilësia e drejtësisë do të përmirësohet falë legjislacionit gjithëpërfshirës, të konsoliduar, në pajtim me standardet evropiane dhe kapaciteteve të fuqizuara me infrastrukturë tërësisht funksionale dhe të orientuar kah qytetari duke ofruar kështu mbrojtje më të mirë të të drejtave dhe interesave publike. E tërë kjo do t’i kontribuojë rritjes së besimit të publikut në sistem.

Gjatë takimit, u prezantua shkurtimisht raporti fillestar si dhe plani i punës së projektit për objektivat e tij specifike:

Forcimi i kapaciteteve dhe koordinimi ndër-institucional në sektorin e drejtësisë në pajtim me Rishikimin Funksional në Sektorin e Sundimit të Ligjit dhe Strategjinë e cila është duke u zhvilluar; Forcimi i pavarësisë, paanësisë, llogaridhënies, profesionalizmit, cilësisë, efikasitetit dhe transparencës së gjyqësorit; Konsolidimi i mëtejmë dhe bashkërendimi i kornizës ligjore dhe institucionale me legjislacionin, standardet dhe praktikat evropiane, dhe përmirësimi i zbatimit të ligjeve; Përmirësimi i qasjes në drejtësi, në veçanti për gratë dhe grupet e margjinalizuara ose të pafavorshme.