Mbahet takimi i 244-të i KGjK-së

Mbahet takimi i 244-të i KGjK-së

Prishtinë, 21.12.2020 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 244-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Kryesuesi Çoçaj njoftoi se kjo mbledhje është e fundit për këtë vit dhe njëherësh falënderoi gjithë stafin e sistemit gjyqësor për angazhimin e tyre gjatë këtij viti mjaft sfidues, dhe përkundër të gjitha vështirësive të shumta me të cilat u ballafaqua ky sistem gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, puna nuk është ndalur.

Anëtarët e KGjK-së, aprovuan njoftimin e Departamentit të Administratës së Përgjithshme – SKGjK, për pensionimin e një (1) gjyqtari në Gjykatën Themelore në Prishtinë si dhe morën vendim për hyrjen në vlerësimin e performancës së gjyqtarëve për vitin 2021.

Gjatë këtij takimi, u shqyrtua kërkesa e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha, lidhur me kthimin e gjyqtares Nushe Kuka Mekaj në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Pejë, e cila është transferuar përkohësisht në Gjykatën Themelore Prishtinë, ku Këshilli do të kërkojë edhe pëlqimin/mendimin e gjyqtares Nushe Kuka Mekaj për këtë çështje.

Po ashtu, Këshilli shqyrtoi dhe aprovoi draft Memorandumin e bashkëpunimit në mes të KGjK-së Fakultetit Juridik të Universitetit Publik të Mitrovicës si dhe propozimin e kryetarit të Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK), për emërimin e përfaqësuesit të KGjK-së në Gjyqin e Nderit të OMK-së, gjyqtaren, Halide Reka.

KGjK në këtë takim, shqyrtoi ankesën e gjyqtares Liridona Haziri në Gjykatën Themelore Gjilan dhe lidhur me ketë, anëtarët u pajtuan që çështja t’i kthehet kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan për rishqyrtim.

Në bazë të kërkesës së Kuvendit të Kosovës, për caktimin e tre (3) anëtarëve të Organit Përzgjedhës të Pavarur, Këshilli caktoi gjyqtarët: Shukri Sulejmani, gjyqtar në Gjykatën Supreme dhe Milena Đerić, gjyqtare në Gjykaten e Apelit, dhe Luljeta Maxhuni, gjyqtare në Gj.Th.Prishtinë, të cilët do të emërohen nga Kuvendi për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar dhe anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka caktuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, gjyqtarët: Lutfi Shala, Mentor Bajraktari, Vesel Ismajli, Suzana Çerkini, Kujtim Krasniqi dhe Violeta Namani. Për Gjykatën e Apelit – Departamenti Special, janë caktuar: Afërdita Bytyçi, Bashkim Hyseni dhe Tomislav Petrovic. Meqë kryetarët e gjykatave Afërdita Bytyçi dhe Bashkim Hyseni tani më janë caktuar në Departamentin Special, Këshilli ka caktuar gjyqtarin Arben Hoti, U.D i Kryetarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë si dhe gjyqtarin Sahit Krasniqi, U.D i Kryetarit në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Për Gjykatën e Apelit janë caktuar gjyqtarët: Zyhdi Haziri, Beqir Kalludra dhe Azra Cakolli. Të gjithë këta gjyqtarë do të fillojnë punën më datë 01.01.2021.

Në fund, Këshilli i trajtoi tre (3) raste disiplinore si dhe formoi panelet hetimore për dy (2) raste disiplinore.