Rishikimi Funksional i Sundimit të Ligjit

Rishikimi Funksional i Sundimit të Ligjit

Prishtinë, 30.11.2020 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skender Çoçaj dhe ai i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, u pritën në takim nga Ministri i Drejtësisë, z. Selim Selimi, ku diskutuan lidhur me hapat e veprimit drejt finalizimit të draftit të parë të Strategjisë që del nga procesi i Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit.

Kryesuesi i KGjK-së, rikonfirmoi gatishmërinë e KGjK-së për të vazhduar bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim që përmes procesit të rishikimit funksional të adresohen sfidat e sistemit gjyqësor.

Gjatë këtij takimi, është dakorduar që ekipet e Ministrisë së Drejtësisë dhe dy këshillave KGjK-së dhe KPK-së, të takohen për t’i adresuar komentet dhe për të finalizuar rekomandimet që përfshihen në Strategji.

Në këtë takim është diskutuar edhe për adresimin e komenteve që kanë të bëjnë me finalizimin e Projektligjit për Gjykatën Komerciale, si dhe për ndryshimet e nevojshme legjislative të sistemit gjyqësor.