KGjK pjesë e konferencës online “70 vjet e konventës sonë”

KGjK pjesë e konferencës online “70 vjet e konventës sonë”

Prishtinë, 23.11.2020 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skender Çoçaj, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për 70 vjetorin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe fillimin e Kryesisë Gjermane të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës me temën: “70 vjet e konventës sonë”, e cila është organizuar online nga Këshilli i Evropës.

Gjatë kësaj konference, ekspertë lokalë dhe ndërkombëtarë së bashku me përfaqësues të gjyqësorit vendor, diskutuan rreth ndikimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në 70 vitet e fundit, përdorimit të praktikave gjyqësore të GJEDNJ nga gjykatat vendore si dhe masat praktike për shfrytëzimin e këtyre praktikave nga gjykatat vendore.

Kryesuesi Çoçaj, tha se sa i përket shfrytëzimit të praktikës së GJEDNJ është sfidë për gjykatat tona por është e rëndësisë së veçantë.

“Në fakt, mund të themi se në praktikën tonë gjyqësore, kemi raste të caktuara kur edhe aplikohet drejtpërdrejtë praktika e GJEDNJ, edhe pse jo në masën e kënaqshme, mirëpo jemi optimist që vazhdimisht do të rritet numri i rasteve kur kjo praktikë do të përdoret më shumë në praktikën e gjykatave tona”, tha Çoçaj.

Tutje, Çoçaj shtoi se në këtë drejtim, Këshilli Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë por edhe me përkrahjen e Këshillit të Evropës, ka organizuar trajnime të vazhdueshme dhe edukim ligjor për gjyqtarët, përfshirë modulet e trajnimit mbi konventën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive fondamentale rreth zbatimit praktik në gjykatat vendore të konventës evropiane për të drejtat e njeriut dhe për liritë fondamentale.

Po ashtu, jemi duke diskutuar që trajnimet për gjyqtarë të fokusohen më shumë në zbatimin dhe shfrytëzimin e praktikës gjyqësore të GJEDNJ në gjykatat tona, për çka do të ketë trajnime të veçanta në këtë drejtim”, tha mes tjerash Çoçaj.