Mbahet takimi i 242-të i KGjK-së

Mbahet takimi i 242-të i KGjK-së

Prishtinë, 18 nëntor 2020 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 242-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Takimi filloi me diskutimin rreth gjendjes aktuale me situatën Covid-19 në sistemin gjyqësor dhe menaxhimit të punës në gjyqësor, duke respektuar masat mbrojtëse. Kryesuesi Çoçaj u bëri thirrje përsëri të gjitha gjykatave, që organizimin e punës ta bëjnë në përputhje me Planin emergjent për menaxhimin e krizës, vendimin e fundit të Qeverisë dhe Manualin për mbrojtje nga përhapja e virusit Covid-19. Çoçaj shtoi se në gjykata tashmë ka filluar edhe dezinfektimi i vazhdueshëm si dhe furnizimi me maska dhe dezinfektues.

Anëtarët e KGjK-së, caktuan gjyqtarin Vilard Bytyqi, si anëtar rezervë në Komisionin për Buxhet, Financa dhe Personel.

Këshilli shqyrtoi dhe aprovoi propozimin e kryetarit të Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës (OFTK), z.Feim Gashi, për emërimin e përfaqësuesit të KGjK-së në Gjyqin e Nderit të OFTK-së, gjyqtarin Bekim Veliqi, si anëtar dhe gjyqtaren Drita Rexha si zëvendëse e tij.

Anëtarët e KGjK-së, aprovuan njoftimin e Departamentit të Administratës së Përgjithshme – SKGjK, për pensionimin e tre (3) gjyqtarëve, një (1) në Gjykatën Themelore në Gjakovë, një (1) në Gjykatën Themelore në Ferizaj dhe një (1) në Gjykatën e Apelit – Divizioni Mitrovicë.

Gjatë takimit, u raportua rreth pilotimit të planit dinamik të largimit të regjistrave manual nga përdorimi në gjykatat e Kosovës, pasi që i njëjti është zbatuar me sukses në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Këshilli caktoi gjyqtarin Ćerim Fazliji, si anëtar rezervë të Komisionit për përzgjedhjen e gjyqtarëve të Departamentit Special si dhe formoi tre (3) panele hetimore për një (1) rast disiplinor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, një (1) rast disiplinor në Gjykatën Themelore në Prizren
si dhe një (1) rast disiplinor në Gjykatën Themelore në Pejë.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dyer të mbyllura për shqyrtimin e pesë (5) rasteve disiplinore.