KGjK nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi për Procesin Zgjedhor

KGjK nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi për Procesin Zgjedhor

Prishtinë, 01.09.2020 – Në ceremoninë e organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), është nënshkruar sot Memorandum i Bashkëpunimit për procesin zgjedhor, në mes të institucioneve që merren me administrimin e zgjedhjeve dhe shqyrtimin e rasteve zgjedhore.

Memorandumi është nënshkruar nga, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skender Çoçaj, Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, Koordinatorja Nacionale për lëndët e korrupsionit nga Prokurori i Shtetit, Laura Pula, Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Çalaj, Anëtarja e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Gyltene Sylejmani si dhe Krye shefi ekzekutiv i Komisionit të Pavarur të Mediave, Luan Latifi.

Qëllimi i këtij memorandumi është ngritja e nivelit të bashkëpunimit të institucioneve të përfshira në proceset zgjedhore për parandalimin e shkeljeve ligjore si dhe hetimin, ndjekjen dhe gjykimin efikas të gjitha rasteve që bien ndesh me ligjet, rregullat zgjedhore apo veprat penale kundër të drejtave të votimit në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.

Kryesuesi Çoçaj, tha se KGjK gjithmonë është angazhuar të sigurojë dhe krijojë kushte për zhvillimin e një drejtësie efektive, duke përfshirë edhe obligimet që dalin nga ky proces, të mbështetur nga ky Memorandum Bashkëpunimi, me qëllim që proceset zgjedhore të kenë zhvillime normale, të jenë transparente, të besueshme dhe demokratike. “Në këtë drejtim, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, merr përsipër dhe zotohet që këto raste do të trajtohen me prioritet dhe do të gjykohen pa vonesë e po ashtu edhe ekzekutimin efikas të të gjitha vendimeve që ndërlidhen me rastet e zgjedhjeve. Si Këshill Gjyqësor, jemi të gatshëm të japim kontributin tonë në çdo proces zgjedhor që do të mbahet në të ardhmen, sa herë që kërkohet nga ne, duke zbatuar legjislacionin në fuqi si dhe memorandumin e bashkëpunimit të cilin po e nënshkruajmë sot”, tha Çoçaj.